Malësitë e Dibrës janë çatia e Shqipërisë!

Malësitë e Dibrës janë çatia e Shqipërisë! Diversiteti i natyrës dibrane i është përshtatur më së miri relievit të thyer që harmonizohet mes luginave dhe vargmaleve të lartë. Dibra është një nga njësitë me shtrirje të gjerë territoriale dhe kjo i ka dhënë epërsi si qarku ku numërohen më shumë se 50 monumente natyre. Shpella të shumta fshehur poshtë maleve, liqene të vogla, rrjedha ujore të pasura me minerale, si edhe pyje alpine ju presin!

Korabi

Dibra rrethohet nga një natyrë e jashtëzakonshme që kulmon me majën më të lartë gjeografike të Shqipërisë, me malin e Korabit. 2751 metra mbi nivelin e detit janë kthyer prej disa vitesh në sfidë për të apasionuarit e ngjitjes së maleve. Korabi rrethohet nga parku kombëtar me të njëjtin emër, një zonë e shpallur në mbrojtje për shkak të florës dhe faunës. Korabin e vizatojnë në trup disa kreshta dhe mes tyre janë krijuar nga natyra gropa të thella mbresëlënëse.

Mountain, Hiking, North Albania

Mali Korab, Dibër, © Fation Plaku

Gropa e Panairit 

Në dukje, Gropa e Panairit i ngjason një koni të përmbysur. Ajo gjendet afër fshatit Radomirë, është e thellë mbi 800 m dhe përbën interes për vlerat gjeomorfologjike dhe turistike. Vizitohet duke ndjekur guidën në rrugën që lidh qytetin e Peshkopisë dhe fshatin Radomirë. Mos harroni se lartësia ku do të ngjiteni i kalon 2 mijë metrat mbi nivelin e detit.

Gropa e Panairit, Dibër, Burimi: mjedisisot.info

Liqeni i Zi i Radomirës

Liqeni është një tjetër monument natyror i krahinës. Në Dibër gjen dy liqene të tillë, me të njëjtin emër, njëri mbi fshatin Radomirë, tjetri në rrethinat e Bulqizës (i përshkruar në detaj më poshtë). Liqeni i zi i Radomirës është një mrekulli e relievit alpin. Është e pabesueshme të mendosh se 2200 metra mbi nivelin e detit natyra të rezervon një sipërfaqe ujore që katër muaj të vitit kthehet në akull. Mjafton të ndjekësh rrugën modeste Peshkopi-Radomirë dhe i ke rezervuar vetes një pamje spektakolare.

Liqeni i Zi i Radomirës, Dibër, Burimi: commons.wikimedia.org, Albinfo

Liqeni i Zi i Bulqizës

Ky liqen gjendet në malësitë e Martaneshit. Edhe ky është liqen akullnajor me thellësi disa dhjetëra metra. Natyra nuk është kursyer duke rrethuar liqenin me pyje ahu dhe pishe, të cilat krijojnë një skenë të ngjashme sikur të jesh në ndonjë zonë Alpine të Evropës. Pamja është vërtetë e paharrueshme. Liqenin e Bulqizës e gjen duke ndjekur rrugën rurale Qafa e Buallit-Batër-Martanesh dhe më pas duhet të përshkosh në këmbë distancën e mbetur deri tek Liqeni i Zi.