Gjini: Shqetësuese, për më shumë se 24 orë janë shfaqur mbi 80 zjarre në Gjakovë

Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini ka reaguar lidhur me zjarrin që ka kapluar sot supermarketin “Viva Fresh”, në qendër të këtij qyteti.

Gjini përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ka shkruar se është shumë e papërgjegjshme sjellja e individëve që rrezikojnë jetën e qytetarëve, duke shtuar se rastet e zjarreve janë shtuar në Gjakovë.

“Sot në Gjakovë ra zjarr në njërin ndër objektet e mëdha në qendër të qytetit, në qendrën tregtare Viva Fresh. Edhe pse dëmet materiale duket se janë të mëdha, fat i mirë është se nuk ka pasur viktima në njerëz.  Në ndërkohë, në komunën e Gjakovës në 36 orët e fundit janë shfaqur mbi 80 zjarre kryesisht në male dhe fusha. Është tejet e papërgjegjshme sjellja e individëve të caktuar, të cilët duke gjetur mënyra brutalisht të papërshtatshme të punëve në fusha, e vëjnë në rrezik jetën e njerëzve, pasurinë publike dhe i shkaktojnë dëme të pariparueshme mjedisit jetësorë”, tha Gjini.

“I falënderoj tej-mase zjarrfikësit e brigadës së Gjakovës të cilët tanimë me ditë të tëra, jashtë çdo parashikim dhe me vetëmohim maksimal po përballen me zjarret e shkaktuara nga njerëz skajshëm të papërgjegjshëm”.

Ndër tjera ai u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që ta ndërpresin zjarr-vënien në fusha sepse dëmet mund të jenë të pariparueshme. E falënderoj po ashtu policinë e Kosovës për reagim tejet profesional dhe vetëmohues.Lexo po ashtu:

“Në të njëjtën kohë, iu bëj thirrje të gjitha organeve të rendit që me rigorozitetin më të madh t’i hetojnë të gjithë ata që e vënë në rrezik jetën e qytetarëve dhe pasurinë qoftë publike qoftë private”, ka shkruar Gjini. /Telegrafi/