Pas stadiumit të Korçës dhe Kukësit, Edi Rama premton ndërtimin e një “impianti” të ri

Pas “Elbasan Arena” dhe “Loro Boriçi”, tashmë është duke përfunduar edhe “Arena Kombëtare”. Gjithashtu  këtë vit pritet të nisin punimet për stadiumin e Kukësit “Zeqi Ymeri’, sipas premtimeve, pasi skuadra verilindore këtë sezon luan në fusha asnjanëse. 

Por situata e stadiumeve në vendin tonë nuk përfundon me kaq, pasi kryeminsitri vendit Edi Rama, ka premtuar para disa javësh se do të ketë edhe një stadium të ri në Korçë.

Sot, ai ka dhënë premtimin e rradhës dhe e ka bërë këtë gjë në Fier, ku në fjalën e tij bëri me dije se ky qytet do të ketë stadiumin e ri, në vend të ri dhe jo aty ku ndodhet aktuali “Loni Papuçiu”.

Gjithashtu ai ka premtuar dhe një pallat të ri sporti, për skuadrën e basketbollit.

“Do të nisim punën për pallatin e ri të sportit, pasi keni pasur një skuadër kampione në basketboll që stërvitej në Durrës dhe luante në Tiranë, e quajnë Apolonia. Ata as iu kanë parë dhe as ju nuk i keni parë ata. Pallatin e sportit do ta ndërtojmë aty ku ka qenë këndi i vjetër i lojrave. Ndërkohë kemi folur edhe për stadiumin e ri të Fierit. E meriton të ketë një stadium të ri, jo aty ku është i vjetri. Do të jetë diku ku do e vendosim me Bashkinë”, është shprehur Rama në fjalën e tij.