Llapi rikthehet fuqishëm në garë për titull. Drita fitore minimale ndaj Ferizajt

Sot janë zhvilluar dy ndeshjet e para në kuadër të javës së 22-të (të fundit të fazës së dytë) në IPKO Superligë.

Llapi ka shënuar fitore para tifozëve të vet në duel me Trepçën ‘89, në një ndeshje që ka prodhuar katër gola, me rezultatin final 3-1, në dobi të vendasve. Shifrat i zhbllokoi Valmir Veliu, në minutën e 7-të, kur e shfrytëzoi një gabim të mbrojtësit Asare. Vetëm 12 minuta më vonë “minatorët” i barazuan shifrat me golin e Gëzim Rusit me një gjuajte të fortë nga brendësia e zonës pas asistimit të Renato Hyshmerit nga e majta. Megjithatë, llapjanët vazhduan me lojë të mirë dhe në minutën e 33-të e rikthyen epërsinë me golin e Ahmet Januzit, i cili shfrytëzoi reagimin e ngathtë të mbrojtjes mitrovicase për 2-1. Ndërkohë, në minutën e 54-t, Diaware pati mundësi për të barazuar rezultatin, por dështoi të shënojë nga penalltia, duke e qëlluar tërthorësen. E fitoren e llapjanëve e vulosi Festim Alidema, në minutat shtesë për rezultatin përfundimtar 3-1.

Pas kësaj fitoreje Llapi ngjitet në pozitën e dytë, me 47 pikë, dy më pak se Feronikeli që nesër luan me Gjilanin. Në anën tjetër, Drita, ka arritur ta mposhtë Ferizajn, me rezultat të ngushtë 1-0. Golin e fitores për vendasit e shënoi Nwabueze, në minutën e 15-të.

Vizioni.info Author