Aksident i rëndë në Podujevë, një i vdekur dhe dy të lënduar

Një person ka humbur jetën, kurse dy të tjerë kanë marrë lëndime trupore në një aksident trafiku, i cili ka ndodhur sot rreth orës 14:05 në fshatin Shtedim të Podujevës.

Lajmin për aksidentin e ka konfirmuar për Telegrafin komandanti i Stacionit të Policisë në Podujevë, Bekim Bislimi, por ai nuk e ka konfirmuar vdekjen e një personi.

Bislimi tha se aksidenti ka ndodhur në mes dy veturave dhe një këmbësori.

“Të përfshirë në aksident janë dy vetura. Aksidenti ka ndodhur sot rreth orës 14:05. Dy persona që ishin në automjete dhe një këmbësor kanë marr lëndime trupore”, ka thënë Bislimi, për Telegrafin.

Burime të Telegrafit bëjnë të ditur se këmbësori i aksidentuar, nuk i ka përballuar lëndimeve që ka marrë dhe i njëjti ka ndërruar jetë.

Dy personat e tjerë të lënduar janë dërguar për trajtim mjekësor.

Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe po heton shkaqet e aksidentit.

Dyshohet se deri te aksidenti ka ardhur si pasojë e garës ndërmjet veturave në atë rrugë./Telegrafi/