Kurti: Sot dola nga spitali dhe jam mirë

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka dalë sot nga spitali.

Lajmin e ka bërë me dije vetë ai përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook”.

“I falënderohem mjekëve dhe infermiereve në Klinikën Infektive si dhe në atë të Emergjencës në QKUK. Ishin mbi 50 orë të vështira por ndjehesha i sigurt me ta. Ju falënderohem edhe të gjithë juve që më keni dërguar mesazhe inkurajuese. Infermieret Arbëria, Adelina, Arbenita, Merlina, Miradija, Vildanja, Elmerina, Amirja, Eminja dhe kryeinfermierja Lulja, nga Reparti i Intenzivës së Klinikës Infektive, si dhe mjekët Prof. Shemsedini, Dr. Nderimi e Drejtor Hamdiu, me dijen, përvojën dhe kujdesin e tyre, më nxorën nga kjo krizë shëndetësore. Ata ngadhënjyen mbi sëmundjen time, përkundër kushteve të tyre të punës”, ka shkruar Kurti.

Ai ka thënë ende nuk është shëruar pasi i duhet sërish ta vazhdojë terapinë.

“Isha i sëmurë, ende nuk jam shëruar. Dy javë pushim e vazhdim i terapisë janë të nevojshme. Por, më vjen turp të them se isha i sëmurë kur kam parasysh e s’i heq dot prej mendjes pacientët e tjerë aty, në gjendje të rëndë, disa edhe shumë të rëndë. Uroj që t’ia dalin të gjithë, të shërohen e të bëhen sa më mirë. Dëshiroj më të mirën për ta e për familjarët e tyre, dhe e di se mjekët e infermieret do të vazhdojnë përditë të shërbejnë me përkushtim për të gjithë të sëmurët”, ka shkruar lideri i LV-së, Albin Kurti.