Kozmonautët rusë që mbetën në hapësirë, ​​para suksesit të Juri Gagarinit

Të mërkurën e 12 prillit 1961, Bashkimi Sovjetik njoftoi se kozmonauti Juri Gagarin, ishte bërë njeriu i parë që po udhëtonte në orbitën e Tokës. Brenda asaj nate, 27-vjeçari u bë një hero kombëtar dhe njeriu më i famshëm në botë. Arritja e tij, zuri faqet e para në gazetat e mbarë botës, nga Uashingtoni në Pekin.

Për sovjetikët, ky ishte një vërtetim spektakolar i epersisë së sistemit komunist. Ata kishin mposhtur amerikanët kapitalistë, duke hedhur një hap tjetër të rëndësishëm në garën hapësinore, dhe i kishin dëshmuar botës epërsinë e tyre teknologjike. Gagarin ishte “fytyra” e përsosur e BRSS.

Një komunist i përkushtuar, ai ishte gjithashtu dhe simpatik. Për udhëheqësin rus, Hrushov, kjo fushatë propagandastike vështirë se mund të kishte shkuar më mirë. Por jo të gjithë ishin të bindur për suksesin e sovjetikëve. Që nga dhënia e njoftimit të parë, pati pikëpyetje rreth historisë që po përhapnin agjencitë sovjetike të shtypit.

Disa ditë më parë, korrespondentët perëndimorë në Moskë, kishin informuar se një fluturim i suksesshëm kishte ndodhur tashmë. Kamerat televizive kishin shkuar për të filmuar dhe raportuar. Por lajmi nuk erdhi kurrë, derisa u shpall fluturimi i Gagarin më 12 prill.

Sovjetikët dukej se po trillonin një tjetër histori, duke fshehur një tjetër më të errët. Pastaj, “The Daily Ëorker”, një gazetë komuniste britanike me lidhje të ngushta me Kremlinin, raportoi më 12 prill se nisja e Gagarin në hapësirë, kishte ndodhur në fakt një javë më parë.

Gazeta pohoi, sipas burimeve të saj, se fluturimi ishte realisht një sukses, por rikthimi në Tokë kishte shkuar keq, dhe se kozmonauti kishte zbritur nga shumë lart, dhe ishte plagosur rëndë.

A ishte kjo arsyeja e mbulimit të këtij incidenti?

Ndryshe nga rivalët e tyre të NASA-s, programi sovjetik i hapësirës zhvillohej në baza ushtarake, dhe operonte nën një fshehtësi të mahde. Ndaj dyshohej se suksesi i Gagarin, ishte një histori për të mbuluar një dështim të mëhershëm. Nëse kishte pasur një fluturim më herët, kush ishte kozmonauti?

Raportet e shumta të shtypit në atë kohë, flisnin për një një pilot të famshëm të quajtur Vladimir Iljushin. Ndryshe nga Gagarin, Iljushin ishte piloti më me përvojë i Bashkimit Sovjetik. Babai i tij ishte gjithashtu një projektues i njohur avionësh, dhe kishte lidhje të ngushta me Kremlinin. Vetëm disa javë përpara fluturimit të parë të supozuar të Gagarin, dy vëllezër italianë, që kishin ngritur një stacion privat të survejimit të hapësirës në Torino, thanë se kishin kapur një sinjal që tregonte një histori vërtet të hidhur.

Ishte zëri i një kozmonauti që po asfiksohej për vdekje, pasi kapsula e tij mbeti në hapësirë. Nëse kjo është e vërtetë, njeriu i parë në hapësirë nuk ia doli të kthehej sërish në Tokë. Ndërkohë Gagarin, nuk fluturoi më në hapësirë. Pasi fama e tij fillestare u zbeh, jeta e tij filloi të dilte jashtë kontrollit. Ai filloi të pinte, dhe sjellja e tij në publik, vinte shpesh në siklet autoritetet partiake.

Gagarin vdiq në një aksident ajror misterioz në vitin 1968, një ngjarje që ishte subjekt i shumë teorive të komplotit.  Ndërkohë në vitin 1959, shkencëtari i njohur gjermane i raketave, Herman Obert, që punonte për SHBA-në, citoi raporte të inteligjencës amerikane që detajonin një numër lëshimesh të dështuara në hapësirë.

Sipas raporteve, të paktën 1 kozmonaut rus kishte vdekur më 1957 ose 1958, dhe ndoshta të tjerë në vitin 1959. Sipas disa rrjedhje të informacionit nga shërbimi sekret çek, nga lëshimet e dështuara në hapësirë gjetën vdekjen 4 kosmonautë sovjetikë:Aleksei Ledovski, Andrei Mitkov, Sergei Shiborin dhe Maria Gromova.

Në vitin 2001, një ish-inxhinier në programin e hapësirës sovjetike, konfirmoi atë që kishin zbuluar 2 vëllezërit italianë me radarin e tyre. Mikhail Rudenko i tha të përditshmes “Pravda” se anijet kozmike me pilotë të quajtur Ledovski, Shaborin dhe Mitkov u nisën nga kozmodromi i Kapustin Yar në vitet 1957, 1958 dhe 1959.

“Të tre pilotët vdiqën gjatë fluturimeve, dhe emrat e tyre nuk u publikuan asnjëherë”- tha Rudenko. Ndërkohë besohet se Vladimir Iljushin, ia doli të udhëtojë në hapësirë me sukses, por gjeti vdekjen pas një ulje të fortë. Por edhe kjo ngjarje është e veshur me mister. Pasi lajmi i aksidentit të Iljushin, u ndryshua disa herë.

Marrë me shkurtime nga “Unredacted” – Bota.al