Rriten rrogat e asambleistëve

Sipas Projektligjit për Paga, i cili pritet të miratohet në Kuvendin e Kosovës më 31 janar, asamblistëve komunalë do t’u rritet rroga për 78 euro.

Nga rreth 220 euro sa e kanë marrë deri tani, nëse kalon Projektligji, rroga e tyre do të bëhet 298 euro.

Asambleisti sipas Projektligjit për Paga në sektorin publik do ta ketë koeficientin 1.25.

Përderisa një koeficient është i barabartë me 239 euro, një asamblist në fund të muajit do të marrë 298 euro.

Një asamblist do të marrë rrogën e njëjtë me një mekanik, elektricist, zdrukthëtar, instalues ujë, farkëtar dhe pozita të ngjashme në të gjitha institucionet e administratës publike.

Por, një asamblist do të ketë rrogën 11 herë më të vogël se kryeministri, i cili sipas Projektligjit për Paga do të marrë 2 mijë e 629 euro.

Rrogë më të ulët se asamblistët sipas Projektligjit për Paga do ta kenë vetëm rekrutët e FSK-së, kadetët doganorë dhe kadetët policorë.

Të njëjtët do të marrin rrogën e barabartë me koeficientin mbi të cilin janë ndërtuar pagat në sektorin publik. Ata do të marrin rrogën vetëm 239 euro.