Grevë për dinjitet

Shkruan: Alban Krasniqi

Sot, kur duhej të fillonte periudha e dytë e procesit mësimor, mësuesit filluan grevën. Kjo grevë nuk është se ndryshon prej të mëparshmeve. Motivi është i njëjtë, ndryshon vetëm koha. Kjo grevë është kambanë në prag të votimit të ligjit për paga. Sot mësimdhënësi kërkon të jetë si gjithë të tjerët ose, të paktën, mos të jetë i nëpërkëmbur. Është për t’u çuditur, edhe për t’u habitur njëkohësisht, sesi kjo kategori është gjithherë e mënjanuar. Mësuesi është ajo kategori intelektuale që aktivitetin e vet e ka mision e jo profesion, pra diçka humane, të madherishme, hyjnore bre! Edhe filozofët më të mëdhenj antikë udhëtojnë të freskët nëpër kohë përmes mësimeve të veta, që ua dhanë të tjerëve, fjala vjen: Sokrati mësoi Platonin, Platoni Aristotelin e Aristoteli Aleksandrin e Madh etj., etj.
I lënë në mëshirë të kohës a rrjedhave të ngjarjeve, mësuesi po nëpërkëmbet në dinjitet e po preket në sedër. E dimë se nëpër shkolla ka shumë të punësuar, por ka pak mësues, por kjo nuk e përligj aspak sponsorizuesin e ligjit për paga që këtë kategori ta trajtojë si lëmoshë.
Respekti ndaj mësuesit nuk është respekt ndaj individit, por respekt ndaj edukimit, respekt ndaj qytetërimit, andaj duhet që me tërë forcën ta përkrahim këtë grevë që nuk është gjë tjetër veçse grevë për dinjitet.

P.S. Flitet se mësuesi do të paguhet në bazë të performancës së tij. Me çfarë kriteresh bazë? Kush do të jetë instrumenti matës? Sa do të jenë objektivë vlerësuesit e performancës? Në traditën tonë objektivizmi transformohet në subjektivizëm pa pikë marreje, prandaj edhe vlerësimi i performancës nuk do të jetë real.

Vizioni.info Author