Shoqata e Gjahtarëve thotë se në Ferizaj s’u vra rrëqebull por macë e egër, kafshë po ashtu e mbrojtur me ligj

Rrëqebulli, i cili njihet si kafshë e mbrojtur me ligj në Kosovë, dyshohet të jetë vrarë gjatë ditës së enjte në Ferizaj.

Vrasja e kafshës ka ndodhur në fshatin Pleshinë të komunës së Ferizajt, nga i dyshuari I. Shatrolli.

Madje, i dyshuari ka postuar një fotografi të kafshës së vrarë edhe në rrjetet sociale, të cilën më pas e ka fshirë.

Por, ndonëse në raportin e policisë fillimisht është thënë se kjo kafshë është rrëqebull, më vonë ata patën dyshime se bëhej fjalë për një tjetër kafshë të mbrojtur me ligj.

Policia thotë se janë marrë të gjitha masat pas nisjes së hetimeve dhe për pjesën tjetër do të kujdeset gjykata.

E, në shoqatën e gjahtarëve “Shqiponja” , thonë se kafsha e vrarë nuk është rrëqebull, por mace e egër.

Vrasja e specieve në zhdukje është e dënueshme edhe me ligjet e Kosovës.

Rrëqebulli ballkanik, kaprolli në Bjeshkët e Nemuna dhe të Sharrit, thëllëza e fushës dhe ariu janë vetëm disa nga kafshët e egra të rrezikuara të zhduken si speciet e rralla, e që janë të mbrojtura me ligjet në fuqi.