Lista esenciale e barnave çdo herë me mungesa

Që nga paslufta në Kosovë, asnjëherë spitalet publike në Kosovë nuk kanë arritur ta përmbushin listën esenciale të barnave 100 për qind. Si rrjedhojë, vazhdimisht ka pasur mungesë të tyre dhe pacientët detyrimisht janë obliguar që gjatë trajtimit t’i blejnë vetë ato.

Ndryshe, rreth 30 milionë euro kanë qenë të ndara gjatë vitit 2018 për barna dhe material shpenzues në sektorin publik shëndetësor në Kosovë, shumë kjo rreth 30 për qind më e madhe se vitet paraprake.

Por, as këto mjete, siç thonë zyrtarë shëndetësorë, nuk janë të mjaftueshme për t’i mbuluar nevojat e pacientëve.

Lista esenciale varion në përqindje me furnizim, por që aktualisht është e përmbushur rreth 60 për qind.

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, thotë për Radion Evropa e Lirë se lista esenciale me barna në vitin 2019, do të jetë më e përmbushur se vitet paraprake. Kjo për shkak se gjatë vitit 2018, sipas tij, janë blerë barna më të lira sesa vitet paraprake dhe është arritur që buxheti për barna të kursehet për rreth 6 milionë euro.

“Ne tashmë kemi filluar me revidimin e listës esenciale e që është parakusht të kemi një listë të përmbushur. Po ashtu, është rritur buxheti dhe kur këto dyja kombinohen, arrihen kushtet që të përmbushet lista”.

“Unë jam optimist që kur plotësohen këto dy parakushte, atëherë mendoj se do të plotësohet lista esenciale e që do t’i përmbushë nevojat e spitaleve. Listat duhet mirëmbajtur dhe sa herë ato të vjetrohen, duhet të ripërtërihen. Por, unë jam optimist që në vitin 2019 do të kemi furnizim më të mirë me barna, edhe për faktin se gjatë vitit 2018 janë blerë barna më të lira sesa vitet paraprake, dhe buxheti që është kursyer, do të shfrytëzohet në blerjen e barnave në sasi më të madhe”, thotë Ismaili.

Edhe pacientët vazhdimisht janë ankuar për mungesë barnash gjatë trajtimit në sektorin publik shëndetësorë. Në korridorin e njërës nga klinikat brenda Qendrës Klinike Universitare, e takuam pacientin Veli Gashi, i cili na foli për mungesën e barnave.

“Kush shkon në spital të shtetit, fillimisht duhet t’i sigurojë së paku 100 euro, t’i kesh me vete, përndryshe mbetesh pa barna dhe pa shërbim, sepse aty gjithmonë mungon diçka”.

“Aty shpeshherë s’ke gjilpëra, barna, e që rrjedhimisht të gjitha duhet t’i sigurosh vetë. Ka raste kur edhe kanë, por ja që unë rastisa kur furnizimi me barna dhe material shpenzues nuk ishte bërë prej kohësh. Cilësia e ushqimit nuk është në nivel, gjithashtu, e që besoj se ia vlen të ceket”, thotë ky qytetar, pacient në QKUK.

Në listën esenciale me barna, shpeshherë nuk janë të përfshira barnat që u duhen për trajtim pacientëve. Kjo pasi që revidimi i listës nuk është bërë që nga viti 2012.

Në shumë vende evropiane për trajtim të sëmundjeve, kohë pas kohe edhe ndërrohen barnat nga lista esenciale, varësisht nga nevoja e pacientëve.

Megjithëkëtë, nevoja për një gjë të tillë është parë dhe tashmë Ministria e Shëndetësisë me ndihmën e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, si dhe një komision i përbërë prej 43 anëtarësh, po synojnë që lista e re që formohet, t’i ketë si prioritet ato barna që i përmbushin nevojat parësore të kujdesit shëndetësor të popullatës.

Ato janë përzgjedhur sipas prevalencës së sëmundjes dhe rëndësisë së shëndetit publik, e që kanë evidencë për sigurinë dhe efikasitetin klinik.

Në Ministrinë e Shëndetësisë kanë thënë se është parë nevoja për një listë të re barnash, andaj edhe është duke u bërë revidimi i listës, me ndihmën e Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

“Në gusht të këtij viti është themeluar komiteti teknik për revidimin e listës së barnave esenciale e që përfshihen edhe materiali shpenzues dhe pajisjet, dhe ky proces synon që lista e re, e cila do të formohet, t’i ketë për prioritet nevojat që i përmbushin nevojat e popullatës, pra të ketë barna esenciale që janë të përzgjedhura sipas prevalencës së sëmundjes dhe rëndësisë së shëndetit publik, që kanë evidencë për sigurinë, efikasitetin e tyre klinik dhe njëkohësisht të jenë të krahasueshme me vendet tjera”, thotë Faik Hoti, zyrtar për informim në Ministrinë e Shëndetësisë.

Pavarësisht kësaj, sipas hulumtimeve të bëra nga organizata joqeveritare, ka dalë se abuzimi më i madh në sistemin shëndetësor është bërë me blerjen e barnave. Aty thuhet se barnat janë blerë me çmime shumëfish më të larta se çmimi real I tyre në treg.

Si rrjedhojë, gjatë vitit 2018, shumë kontrata të nënshkruara prej vitesh me kompani farmaceutike që kanë furnizuar këtë sektor me barna, janë ndërprerë.

Hulumtuesja Saranda Ramaj nga Instituti ‘’Columbus’’ një prej organizatave që është marrë me hulumtimet e korrupsionit, e që është mbështetur nga Ambasada Amerikane në Prishtinë dhe ambasadat e vendeve të Quint-it, thotë për Radion Evropa e Lirë se ndonëse janë ndërprerë disa nga kontratat abuzive që i kishte Ministria e Shëndetësisë për furnizim me barna, gjendja ende nuk është stabilizuar.

“Është një lajm i mirë që ministri i Shëndetësisë ka refuzuar që t’i nënshkruajë kontratat që kanë qenë abuzive. Megjithatë, nuk është siguruar stabilitet në blerjen e barnave meqë është një udhëzim administrativ, të cilin Ministria e Shëndetësisë dhe ministri Uran Ismaili, e kanë proklamuar shumë si udhëzim administrativ të mirë, e që pajtohem, por ende nuk kemi nënshkrim për këtë udhëzim që nga prilli i këtij viti”.

“Ky udhëzim nënkupton që ende kompanitë farmaceutike mund të abuzojnë me çmime, pasi nuk ka bazë ligjore që e rregullon ofertimin e kompanive farmaceutike me çmim në tenderët publik, saktësisht në Ministrinë e Shëndetësisë”, thekson Rama.

Barnat esenciale të blera nga Ministria e Shëndetësisë, për shkak të urdhëresave administrative dhe ligjeve në fuqi, kanë ndikuar që buxheti i Kosovës të shpenzojnë nga 10 deri në 2,000 për qind më shumë mjete për një ilaç, i cili në treg është dukshëm më i lirë.

Ndryshe, sektori i shëndetësisë, duke veçuar sidomos atë të barnave, ka rezultuar të jetë ndër më të korruptuarit, është thënë disa herë në debate publike.

Përpos këtyre, problemi tjetër që ballafaqohet sektori farmaceutik janë edhe barnat, të cilat mund të shiten në barnatoret e Kosovës, sidomos antibiotiku përfshirë edhe ato narkotike dhe psikotrope pa recetën e mjekut.

Së fundmi, ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka nënshkruar ‘Planin e Veprimit për Rezistencën Antimikrobike’, i cili do të shërbejë si një udhërrëfyes për të gjitha spitalet publike, partnerët shëndetësorë, veterinarë e mjedisorë për të ulur rezistencën ndaj antibiotikëve dhe për të rritur sigurinë shëndetësore të popullatës.