Efekti 100% i taksës

Që nga fillimi i nëntorit të vitit 2018, Qeveria e Kosovës ka vendosur taksë 100 për qind ndaj produkteve serbe.

Madje në fund të dhjetorit është marrë vendim që përveç produkteve me origjinë serbe, taksës 100 për qind t’iu nënshtrohet i gjithë malli që vije nga Serbia, pavarësisht vendit të origjinës.

Këtë vendim, i cili hynë në fuqi nga 1 janari 2019, Qeveria e Kosovës e ka marrë pas kërkesës së ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, në mënyrë që masa prej 100 për qind të trajtojë njëlloj të gjitha kompanitë.

Që nga vendosja e taksës e deri në fund të dhjetorit është rritur kërkesa për prodhime vendore, madje edhe punësimi.

Kështu ka thënë Divizioni për Komunikim nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, duke shtuar se përveç kërkesës së shtuar për prodhime vendore, disa kompani po punojnë me tre ndërrime për të përmbushur kërkesën e tregut.

‘Ministri i MTI-së Endrit Shala bashkë me stafin e tij janë në kontakt të përditshëm me bizneset dhe ajo që vlen të theksohet është që masa ka ndikuar shumë në bizneset vendore, sidomos tek prodhuesit. Herën e fundit kemi vizituar një kompani që prodhon letër higjienike dhe masa ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës ka ndikuar në rritjen e tregut për këtë prodhues dhe si rezultat janë krijuar mundësi për 20 vende të reja të punës, që automatikisht kjo ndikon edhe në zvogëlimin e papunësisë tek të rinjtë. Kjo po nënkupton që masa po e rrit edhe tregun për bizneset vendore dhe po ashtu po ndikon në rritjen e punësimit. Nga ajo qe kemi nga terreni, kërkesa për prodhime vendore është shtuar dhe po ashtu disa kompani po punojnë edhe me nga 3 ndërrime për ta plotësuar kërkesën e tregut’, thuhet në përgjigjen e tyre.

Gjatw kwsaj periudhe, vlera e importit të mallrave nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina ka pësuar një rënie të dukshme, duke u dëmtuar kështu edhe ekonomia serbe dhe ajo e Bosnjës.

Zëdhënësi i Doganës, Adriatik Stavileci, në një përgjigje për Indeksonline ka thënë se nëse deri tani vlera mesatare e importit nga Serbia ishte 35 deri në 40 milionë, brenda një muaji tani ajo ka rënë në rreth 300 mijë euro.

Ndërsa sa i përket importit nga vendet tjera, ai thotë se ka një rritje të lehtë por është ende herët të ceket se nga cilat më shumë.

‘Ka një rënie te dukshme nëse vlera mesatare e importit mujor nga Serbia ishte 35 deri 40 milionë brenda një muaji tani ajo ka rënë në rreth 300.000 mijë euro. Sa i përket importit nga vendet tjera, kemi një rritje të lehtë por është ende herët të konkludohet saktësisht se cilat vende janë rritur më shumë’, është shprehur Stavileci.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini ka thënë se konsumi i produkteve vendore për vetëm një muaj nga vendosja e taksave ka rezultuar me 50 për qind, ndërsa gjatë kësaj periudhe është rritur punësimi me 15 për qind. Ndërsa ekonomia është rritur me 5 për qind.

‘Aleanca e biznesit ka bërë një hulumtim rreth ndikimit të taksës 100 për qind në ekonominë kosovare ku ka rezultuar e gjithë kjo ka  ngritur ekonominë nga periudha nga data 21 nëntor deri më 5 dhjetor mbi 5 për qind, besueshmëria dhe konsumi i produkteve vendore është rritur mbi 50 për qind, kurse punësimi mbi 15 për qind. Kjo ka treguar se me çfarë konkurrence të ashpër ka qenë prodhimtaria vendore nga prodhimet e Serbisë. Por kjo nuk mund të jetë rritja e qëndrueshme nëse kjo taks hiqet dhe nuk do të ketë përmirësim të ambientit investues në Kosovës sepse një hulumtim tjetër që kemi bërë më herë në korrik ka dalë se 94 për qind të investitorëve të huaj që vijnë në Kosovë, ikin nga Kosova dhe shkojnë investojnë në këto vende pikërisht në vendet tjera të Ballkanit Perëndimore dhe një nga këto është edhe vet Serbia’, është shprehur Shahini.

Rritja e konsumit dhe prodhimeve të produkteve vendore ka ndikuar dukshëm, duke treguar kështu edhe se sa ka qenë i dëmtuar tregu nga produktet serbe.

Kështu ka thënë drejtori ekzekutiv i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, Astrit Panxha, i cili thotë se me shitjen e produkteve serbe në Kosovë ka qenë një konkurrencë jolojale.

“Ne besojmë se taksa 100 për qind që i është aplikuar Serbisë është duke sjellë rezultate pozitive në aspektin e rritjes së prodhimit të produkteve në Kosovë. Duke pasur parasysh se kemi pasur konkurrencë jolojale nga produktet serbe që kanë ardhur në Kosovë dhe janë shitur nën kosto të prodhimit, atëherë rrjedhimisht me vënien e taksës 100 për qind, këto produkte më nuk janë konkurruese në Kosovë dhe nuk janë duke dëmtuar tregun. Për këtë arsye, prodhuesit e Kosovës tash janë më konkurrent dhe disa prej tyre, nuk kemi të dhëna të sakta, më kanë informuar se krahas rritjes së prodhimit ka edhe rritje të punësimit”, ka deklaruar Panxha.

Në anën tjetër, duhet cekur se me vendosjen e taksës, është rritur edhe kontrabandimi i mallrave në Veri të Mitrovicës. Kështu është shprehur ditë më parë Prokuroria Themelore në Mitrovicës, gjatë një konference të fundvitit.

Ndryshe nga kjo, Qeveria e Kosovës është treguar e vendosur se kjo ‘taksë nuk do të tërhiqet pa njohje reciproke nga shteti i Serbisë’.

Vizioni.info Author