Bërnabiqi thotë të mos ketë kërkuar tërheqjen e njohjes së Kosovës nga shtetet e OKB-së

Kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, e cila ditë më parë i dërgoi një letër kryeministrit shqiptar, Edi Rama, letër në të cilën ajo kërkonte nga shteti shqiptar që të rishqyrtonte njohjen e pavarësisë së Kosovës, ka thënë se me atë letër, dhe me letrat që u ka dërguar shteteve anëtare të OKB-së, ka dëshiruar t’i njoftojë ata në lidhje me veprimet e “papërgjegjshme, të pamenduara dhe të rrezikshme të Prishtinës”.

Me këtë, ajo ka dashur t’i demantojë deklarimet e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili thotë se Bërnabiqi ka kërkuar nga anëtarët e OKB-së që të revokojnë njohjen e pavarësisë së Kosovës, raporton agjencia serbe e lajmeve “Tanjug”.

“Nuk u kam bërë thirrje shteteve anëtare të OKB-së të tërheqin njohjen e pavarësisë së Kosovës. Letrën për të cilën flet Haradinaj e ka dërguar më 16 nëntor pas ngritjes së taksës për 10 për qind. Në atë moment shumë transparent, ai ka qenë vendimi i Qeverisë që të njoftojmë shtetet anëtare të OKB-së në lidhje me veprimet e papërgjegjshme, të pamenduara dhe të rrezikshme të Prishtinës”, tha kryeministrja serbe gjatë ditës së sotme, transmeton Koha.net.

Ajo shtoi se me veprimet e Kosovës ka dashur t’i njoftojë edhe shtetet që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, sikurse edhe ato që s’e kanë njohur.

Bërnabiqi tha se në letrën e shkruar në pesë faqe është thënë se “Prishtina nuk e respekton marrëveshjen e Brukselit” ndërsa “Beogradi i ka përmbushur të gjitha që janë paraparë në atë dokument”.

Po ashtu, në letër përmendet edhe rasti i vrasjes së politikanit serb nga veriu i Kosovës, Oliver Ivanoviq, sikurse edhe, siç thotë “Tanjugu”, “fakti se Prishtina nuk i ka lejuar Beogradit të ndihmojë në këtë hetim” dhe se “institucionet e Prishtinës nuk ndajnë informacione në lidhje me këtë hetim me Beogradin”.

Në atë letër, siç shkruan “Tanjugu”, Bërnabiqi ka treguar edhe për arrestimin e të ashtuquajturit drejtor i zyrës për Kosovën në qeverinë serbe, Marko Gjuriq, në veri.

Ajo shtoi se shtetet anëtare të OKB-së i ka njoftuar se “Prishtina, jo vetëm që nuk i respekton marrëveshjet ndërkombëtare, siç janë marrëveshja e Brukselit dhe Rezoluta 1244, por as ligjet e veta e të ashtuquajturën Kushtetutë të Kosovës”.

“Vetëm ua kam tërhequr vëmendjen me fakte, argumente dhe në atë që Prishtina me vendimet e veta po e përkeqëson paqen rajonale, stabilitetin dhe krejt atë që BE-ja synon të arrijë përmes integrimit rajonal”, deklaroi kryeministrja serbe.

Shefja e ekzekutivit serb përsëriti se letra është dërguar më 16 nëntor dhe se që nga ajo kohë, Kosova ka ngritur taksën në 100 për qind, është kundër të gjitha marrëveshjeve dhe në kundërshtim me ligjet e veta, ka miratuar ligjet për formimin e Ushtrisë së Kosovës.

Kujtojmë se ditë më parë, “Koha Ditore” raportoi se si Serbia kishte shprehur synimin që të hyjë në mes të Kosovës dhe Shqipërisë, me tendencën që t’i prishë marrëdhëniet mes dy vendeve.

Nëpërmjet dy letrave dërguar kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, kishte shprehur shqetësimin se gjërat në rajon po shkojnë tmerrësisht keq, shkaku i Kosovës.

Kësisoj, ajo ka shkuar aq larg sa t’i kërkojë Ramës ta rishikojë pozicionin e tij mbështetës për shtetin që shpalli Pavarësinë më 17 shkurt 2008. Në letërkëmbimin që ka siguruar “Koha Ditore”, Rama shpreh habinë me kërkesën e Bërnabiqit, teksa i ka kujtuar asaj vuajtjet që Serbia ia ka shkaktuar Kosovës në shekullin e kaluar, dhe pengesat e tanishme ndaj përpjekjeve të Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

“Siç e thoni në të dyja letrat, vendi im ka vendosur besimin më të madh në Republikën e Kosovës dhe autoriteteve të saj. Kjo është me të vërtetë lidhja jonë natyrore si një komb, që rrjedh jo vetëm nga lidhja jonë e veçantë me Kosovën, por më e rëndësishmja nga angazhimi i bashkësisë ndërkombëtare dhe vetë Kosovës për të forcuar shtetësinë dhe për të ndërtuar një vend demokratik, multietnik dhe shumë-besimesh”, shkruan në letërkëmbimin e Ramës, që mban datën 3 dhjetor 2018, si reagim ndaj letrës së Bërnabiqit, ku, mes tjerash, shkruante:

“Po jua kërkoj meqenëse keni njohur të ashtuquajturën ‘Republikë të Kosovës’ si një shtet të pavarur, në mënyrë që ju të përdorni ndikimin tuaj ndaj Prishtinës, që t’iu bindet marrëveshjeve dhe ligjeve ndërkombëtare. Në rast se, në kundërshti me ndikimin tuaj, ata vazhdojnë të shkelin marrëveshjet dhe paktet ndërkombëtare, ju kërkoj të rishikoni pozicionin tuaj në mbështetje të Pavarësisë”, shkruhet në letrën e parë të Bërnabiqit, 16 nëntor 2018.

Gjashtë ditë më vonë, pa marrë një përgjigje për letrën me tone patetike, ku shqiptarët dhe qeveria në Kosovë fajësohen për fakte të pavërteta, kryeministrja serbe i drejtohet sërish Ramës me një letër të dytë.

Në këtë letër, Bërnabiqi, me tone më të zbutura dhe ‘argumente’ ekonomike, flet për pasojat e taksës ndaj mallrave serbe dhe dëmin, që sipas saj po i bëhet klimës së biznesit në Ballkanin Perëndimor. Ajo i kërkon sërish Ramës të përdorë ndikimin dhe besimin që kanë institucionet e Kosovës tek ai, për heqjen e këtyre masave dhe i kujton faktin se Serbia nuk do të marrë masa reciproke.

Më në fund, përgjigjja i vjen dy javë më vonë, në një letër ku kryeministri shqiptar i kujton homologes serbe krimet e shtetit të saj në Kosovë, njohjet dhe përparimet e Kosovës pas luftës.

“E dashur kolege. Është thjesht e pamundur për mua që të kuptoj thirrjen tuaj ‘që të rishikojmë pozicionin tonë në mbështetje të Pavarësisë’… Qëndrimi i Shqipërisë është se Kosova është shtet i pavarur dhe vend sovran, që i merr vet, në mënyrë të pavarur vendimet e saj, të cilat Serbia dhe të tjerët duhet t’i respektojnë, si reflektim i vullnetit sovran të popullit të Kosovës nëpërmjet udhëheqësve të zgjedhur në mënyrë demokratike”, thuhet në përgjigjen e Ramës, më 3 dhjetor.

Rama i kujton Bërnabiqit angazhimet e tij, së bashku me presidentin e saj Aleksandar Vuçiq, dhe se kanë rëndë dakord të arrijnë pajtimin përmes bashkëpunimit rajonal, gjë që ju – thotë kryeministri, – e keni shkelur me pengesat që po i nxirrni Kosovës për anëtarësimet në organizatat ndërkombëtare, si INTERPOL apo UNESCO.

“Shqipëria e ka mbështetur dialogun Kosovë-Serbi, të udhëhequr nga Bashkimi Evropian. Por, nuk mund të mos dëshmojmë se nën maskën e dialogut, Serbia ka ndërmarrë pengesa dhe akte armiqësore kundër Kosovës, të cilat janë të dëmshme për shpirtin e bashkëpunimit gjithëpërfshirës rajonal, gjë që nuk është e denjë për një shtet kandidat për në BE. Ne besojmë se ndjekja e rrugës së dialogut, me sinqeritet dhe realizëm, do të jetë e vetmja alternativë e suksesshme për të arritur zgjidhje të detyrueshme dhe të qëndrueshme për të dyja palët, si dhe paqen e stabilitetin në rajon”, thuhet më tej në përgjigjen e Ramës.

Vizioni.info Author