“TREPÇA” DREJT FALIMENTIMIT, ENDE NËN MENAXHIMIN E AKP-SË

Gjendje e rëndë është krijuar në Kombinatin metalurgjik “Trepça”, ndërmarrje kjo që po shënon rënie të mëdha të prodhimit dhe nuk ka qëndrueshmëri financiar.

Megjithatë, edhe pse ligji për “Trepçën” është miratuar dy vjet më parë, ende mbetet nën administrimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit(AKP). Gjithashtu, për Trepçën nuk po shpreh interesim asnjë investitor i huaj. Kryesuesi i Bordit të Trepçës, Ardian Syla, ka thënë në një intervistë për KosovaPress, se për shkak të mos regjistrimit dhe mungesës së vullnetit të deputetëve të Kuvendit të Kosovës për miratimin e draft statutit për “Trepçën”, gjendja mbetet jostabile në këtë ndërmarrje. Ndërsa, kryesuesi i Bordit tha se regjistrimi i ndërmarrjes është i domosdoshëm për me çuar procesin deri në fund të transformimit të ndërmarrjes prej AKP-së në shoqëri aksionare.

Syla ka thënë se AKP ka ndaluar çdo aktivitet të likuidimit apo të privatizimit të ndonjë aseti të Trepçës.Mirëpo, kryesuesi i Bordit të Trepçës, Ardian Syla ka thënë se menaxhmenti i aseteve të “Trepçës” në veri të Mitrovicës nuk i raporton këtij bordi, sepse sipas tij, kjo është çështje e ndjeshme.

Syla ka folur edhe për kërkesat e sindikatës së “Trepçës” për çështje sociale. Ai ka thënë se janë krijuar dy grupeve punese, njëri grup, i cili do të punojë në vlerësimin e aseteve të “Trepçës”, si dhe grupi tjetër, i cili do të punojë në çështjet sociale, të cilat i ka parashtruar sindikata.

Të dy grupet, sipas tij, kanë përfunduar punën e tyre dhe një raport është dorëzuar në Ministri të Zhvillimit Ekonomik. Kërkesat që kanë rrjedh si për çështje sociale, ashtu edhe për asete, Syla ka thënë të inkorporohen në draft statutin final, i cili do të shkoi në Kuvendin e Kosovës, sepse çështjet sociale rregullohen me ligj të veçanta.

Vizioni.info Author