Komisarëve ka kush t’u shkruajë

Shkruan: Alban Krasniqi

Letra e presidentit të SHBA-së, Donald Tramp, drejtuar presidentit të Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi, dhe presidentit të Republikës së Serbisë, z. Aleksandër Vuçiq, nuk është letër që kërkon miratimin e këtyre dy presidentëve për një “marrëveshje historike”, por është jehonë për pozitën dhe opozitën e këtyre dy shteteve përkatëse, që të reflektojnë dhe të pozicionohen në krah të presidentëve të tyre respektivë. Pra, kjo letër kërkon një bashkim të faktorit politik të të dy vendeve me një dëshirë dhe një qëllim për një pajtim të mundshëm dhe të obligueshëm.
Këtë marrëveshje na e kërkoi rajoni, na e kërkoi BE-ja, tash po na e kërkon edhe avokati ynë, SHBA-ja. Për kërkesat e dy të parëve, rajonit dhe BE-së, aq na bën – shumë kobe e mjerime na sollën nëpër shekuj; për kërkesën e SHBA-së, duhet të veprojmë konform kërkesave të saj. Pse? Përballë stuhive e rrebesheve, falënderimi i takon SHBA-së që jemi këtu ku jemi sot. Shqipëria londineze ekziston kështu siç është, duke iu falënderuar ish-presidentit U. Uilson, që rrënoi marrëveshjen Tittoni-Venizelos që ishte në dëm të këtij trualli e këtij kombi; në nëntor 1962, Xh. Kenedi paralajmëron Moskën për pasoja të mundshme, në rast sulmi ndaj Tiranës; në dhjetor 1992, Xh. Bush i “uron” krishtlindjen udhëheqjes së Serbisë, duke ia vizatuar “vijën e kuqe” përreth kufirit të Kosovës; më 24 mars 1999, B. Klinton njofton opinionin amerikan dhe botëror për fillimin e bombardimeve mbi caqet ushtarake të Serbisë; më 10 qershor 2007, Xh. Bush deklaron në Tiranë: “enough is enough, Kosovo is independent”. Prej një historie shtetërore 242 vjeçare, një epokë gati njëqindvjeçare (më shumë se 1/3) i takon angazhimit dhe mbrojtjes së këtij shteti të madh për kombin tonë të vogël.
Tash vonë presidenti aktual i SHBA-së na obligon për një marrëveshje me Serbinë, përmes një letre drejtuar jo vetëm ish-komisarit të UÇK-së, por edhe komisarëve tjerë të pozitës dhe opozitës, e cila marrëveshje, sipas të gjitha gjasave, është e dizajnuar dhe pret vetëm aktin ceremonial të nënshkrimit në Shtëpinë e Bardhë. Kjo marrëveshje edhe mund të mos na pëlqej dhe sigurisht nuk do të na pëlqej, por duhet ta pranojmë edhe si të tillë, se është projektuar nga engjëlli ynë mbrojtës, SHBA-ja. Nuk kemi si të veprojmë ndryshe, pavarësisht idealizmave a nacionaizmave. Një veprim ndryshe jo që nuk na bën nder, por na degdis jashtë rreshtit të qytetërimit dhe një të ardhmeje më të ndritur, na degdis atje ku bren miza hekur, ashtu si në epokën 50 vjeçare të komunizmit. Andaj, spektri politik pozitë e opozitë, duhet të unifikohemi dhe mos të hezitojmë në pranimin e kësaj oferte amerikane. Nuk kemi pse të mos shkojmë pas tyre, nuk kemi arsye. Edhe Krishti dhe Muhameti na thënshin: o shqiptarë, lëreni Amerikën dhe ejani pas nesh, ne duhet t’u përgjigjemi: mblidhni mendtë, bre burra, se shqiptarët nuk vijnë pas jush, se kanë një borxh për ta larë!

Vizioni.info Author