Moti për pesë ditë

Java e parë e dhjetorit fillon me mot me vranësira të shpërndara dhe intervale me diell, njofton Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës.
Vranësirat ditën e martë dhe të enjten do të jenë më të dendura dhe të paqëndrueshme, duke mundësuar që në shumë lokalitete të ketë riga shiu.

Rigat e shiut pastaj do të shtrihen në pjesën më të madhe të vendit, duke u shndërruar në reshje frontale në territore të mëdha, por që sasia e reshjeve nuk parashihet të jetë e lartë.

Në fushat barike, do të ketë luhatje, duke mundësuar qarkullim të dobët të masave të ajrit e me këtë edhe ndryshim në vlerat e cilësisë së ajrit, por përgjithësisht gjatë pothuaj gjithë javës do të mbizotërojnë fushat anticiklonike në territorin tonë.

Temperaturat minimale gjatë kësaj javë parashihen të jenë mbi vlerat e mesatareve, duke lëvizur nga -2 gradë Celsius deri në 2 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 6-10 gradë Celsius. Do të fryjë erë nga drejtimi i juglindjes dhe verilindjes me shpejtësi 1-5m/s.