SHPALLJA E PAVARËSISË SË SHQIPËRISË (SHQIPËRISË SË COPËTUAR), MË 28 NËNTOR 1912

Situata e krijuar në Ballkan, posaçërisht në trojet shqiptare, pas fillimi të të ashtuquajturës “Luftë e Parë Ballkanike”, doemos kërkonte që të ndërmerreshin hapa konkret për të dalë nga gjendja e re. Shqiptarët gjendeshin në mes dy zjarreve. Të radhiteshin në anën e aleatëve ballkanik, ishte e pamundshme, për arsye se ata synonin të pushtonin trojet shqiptare. Ndërkaq, të hysh në luftë kundër shteteve fqinje përkrah Perandorisë Osmane, për shqiptarët në atë kohë, ishte një rrezik sa edhe të radhiteshin në anën e Aleancës Ballkanike. Kjo nga fakti se, do t’ju epej rasti monarkive ballkanike që t’i paraqitnin shqiptarët myslimanë si “turq”, dhe pastaj më lehtë do të arsyetonin para Fuqive të Mëdha pushtimin e territoreve shqiptare.

Nga ana tjetër, edhe ndër krerët politikë të Lëvizjes Shqiptare në atë kohë ishte ndërruar taktika e veprimit. E ndodhur para një situate të tillë, kur aleatët ballkanik kishin sulmuar nga të katër anët trojet shqiptare, patriotët shqiptarë që ndodheshin jashtë atdheut, vendosën të ndërmarrin një veprim të ri politik. Qëllimi i këtij veprimi ishte të shpëtohej Shqipëria nga copëtimi. Një nismë të tillë e ndërmorën Ismail Qemali dhe Luigj Gurakuqi. Këta dy patriotë nga Stambolli arritën në Bukuresht më 5 nëntor 1912. Këtu, me disa qindra bashkatdhetarë organizuan një mbledhje, në të cilën u vendos që të veprohej konform rrethanave të reja. Ismail Qemali priste një shenjë nga Fuqitë e Mëdha, që të vendoste se çfarë garancie mbijetese do të kishte një Shqipëri e Pavarur. Prandaj, nga Bukureshti ai shkoi në Vjenë, ku u takua me ministrin e jashtëm austro – hungarez, Berchtoldin, dhe me ambasadorin Italian, Avarna. Sipas Renzo Falashcit, këtu ai gjeti mbështetjen që priste, për ta proklamuar vendimin për një autonomi (pavarësi) të plotë. Gjithashtu ideja e Ismail Qmalit për mbledhjen e një Kuvendi gjeti mbështetjen edhe te Austro – Hungaria. Përballë pushtimit të territoreve shqiptare nga shtetet fqinje, si dhe nga shkaku se ushtria dhe administrata osmane në Ballkan ishin shkatërruar nga trupat ushtarake të aleatëve ballkanik, ishte e pakuptueshme autonomia e shqiptarëve. Në këtë përfundim kishin ardhur grupi i atdhetarëve i kryesuar nga Ismail Qemali, i cili më 19 nëntor 1912 në Trieste deklaronte: “… se menjëherë pas mbërritjes në Shqipëri do të shpallej pavarësia e Shqipërisë dhe do të zgjidhej një qeveri e përkohshme”. Një vendim të tillë (për shpalljen e pavarësisë) Ismail Qemali ia shprehu edhe gazetës “Il Picocolo” të Triestes, më 19 nëntor 1912.

Grupi i kryesuar nga Ismail Qemali, nga Triesta, me anijen e vogël “Brűnn”, më 21 nëntor 1912 kishte arritur në Durrës. Situata në Durrës, kur erdhi Ismail Qemali ishte mjaft e rendë, të cilin ushtria serbe e pushtoi më 30 nëntor 1912. Prandaj ai vendosi që të shkonte për në qytetin e lindjes, në Vlorë. Kështu i shoqëruar me Luigj Gurakuqin, Pandeli Calen, Dhimtër Beratin, Qazim Kurtin Gjirokastra, Kristo Meksin e disa dhjetër shqiptarë të tjerë, si dhe pasi që u takuan me delegatët e Kosovës në Fier, më 25 nëntor 1912 arritën në Vlorë.

Vlora dhe disa qytete të tjera afër saj, nuk ishin pushtuar ende nga aleatët ballkanik. Kjo nuk ishte bërë, ndoshta se grekët dhe serbët nuk kishin arritur ta ndajnë saktë vijën kufitare në mes tyre. Prandaj nuk dëshironin që t’i shkaktonin ndonjë provokim njëra tjetrës, që do të qonte në luftë në mes tyre (grekëve dhe serbëve).

Duhet shtuar se më 25 nëntor Elbasani shpalli i pari pavarësisë. Të nesërmen atë e shpallën Durrësi e Tirana dhe më 27 nëntor Kavaja, Peqini dhe Lushnja. Atmosfera në qytetin e Vlorës ishte mjaft impozante. Këtu ishin bërë të gjitha përgatitjet për të shpallur pavarësinë e Shqipërisë, dhe për t’i treguar Fuqive të Mëdha se populli shqiptar nuk luftoi kundër Perandorisë Osmane për t’u pushtuar nga aleatët ballkanik, por për t’u bërë zot i vetvetes. Prandaj, delegatët e mbledhur në Vlorë (në fillim ishin 37, kurse më vonë numri i tyre arriti në 63), më 28 NËNTOR 1912 SHPALLËN PAVARËSINË E TROJEVE SHQIPTARE.

Në Kuvendin e Vlorës nuk kishin arritur të marrin pjesë Hasan Prishtina, Nexhip Draga, Idriz Seferi, Sait Hoxha etj., të cilët ndodheshin në burgun e Beogradit . Këta me gjasë ishin burgosur në fund të muajit nëntor 1912, dhe janë liruar në prill 1913. Po ashtu as Isa Boletini e Bajram Curri nuk arritën të jenë prezent, të cilët ndonëse u nis për në Kuvend, u pengua nga luftimet gjatë rrugës. Por, Isa Boletini kishte arritur në Vlorën heroike pas ngritjes së Flamurit Kombëtar.
Pas shpalljes së pavarësisë, kuvendi caktoi Ismail Qemalin që të formonte qeverinë e përkohshme. Postin e kryetarit dhe të ministrit të punëve të jashtme e mbajti për vete. Ndërsa, ngarkimet e tjera u bënë në bazë të proporcionit të përkatësisë fetare, shoqërore dhe gjeografike. Disa që mbeten pa poste të larta shtetërore, u zemëruan dhe u inatosen. Me arsye apo pa arsye?!
Konferenca e Ambasadorëve në Londër (1912 – 1913), nuk mori parasysh vullnetin e popullit shqiptar, dhe copëtoi rendë territoret shqiptare. Prandaj, edhe pse në Vlorë ishte shpallur pavarësia e të gjitha trojeve shqiptare, që kishin një sipërfaqe prej 90.000 km2, Konferenca në fjalë vendosi që brenda shtetit shqiptar të përfshihen vetëm 28.000 km2 ./Izet Miftari/

Shënim: Dokument që njofton për burgosjen e Hasan Prishtinës me shokë në burgun e Kalimegdanit në Beogradit

This slideshow requires JavaScript.