Pas vendosjes së tarifës ndaj Serbisë, rritet çmimi i bukës dhe i miellit në Kosovë

Vendosja e tarifës 100 për qind për mallrat serbe ka ndikuar që në Kosovë të rritet çmimi i bukës dhe i miellit.
Tanimë çmimi i bukës është rritur edhe në furrat e Prishtinës.

Furra ‘Graniti’ në rrugën Agim Ramadani, ‘Qerimi 1 dhe 2’ në Breg të Diellit, ‘Lindi’ në Dardani, ‘Epoka’ në Breg të Diellit, kanë ngritur çmimin e bukës nga 30 në 40 cent.

Ndërkohë një qytetar i Gjilanit, i ka thënë lajmi.net se është rritur edhe çmimi i miellit.

“25 kilogram miell ka kushtuar 7.50 ndërsa tani kushton 9 euro”, ka thënë ai.

Theksojmë që sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës thuhet se më së shumti drithëra vendi ynë importon nga Serbia.

Deri në muajin nëntor të këtij viti, Kosova ka importuar 101,982 tonelata grurë.

Çështja e importit të grurit është aktualizuar pas masës prej 100 për qind shtesë ndaj mallrave serbe e boshnjake të vendosur nga Qeveria e Kosovës.