Opozitarizmi ndaj qeverisjes lokale-hapat konkret!

Opozita dhe pozita në nivel lokal nuk dallojnë shumë në qëllimin e tyre përfundimtar ( marrja dhe mbajtja e pushtetit), porse ajo që i dallon është sjellja e tyre kur janë në role të ndryshme, d.m.th sjellja e partisë kur është në opozitë dhe sjellja e të njëjtës parti kur ngritet në pushtet. Qëndrimi për një kohë të gjatë në opozitë të bën të durueshëm dhe më të pjekur në hapat politik që duhet ti marrësh, ndërsa qëndrimi për një kohë të gjatë në pushtet të lodhë politikisht, të konsumon dhe mandej është vështirë të akomodohesh në opozitë, medoemos duhet ca kohë për tu mësuar “nën hije” siq thotë populli.

Kësaj radhe ne do të merremi me rolin e opozitës në nivel lokal dhe hapat që duhen ndjekur për të ardhur më shpejtë në pushtet, ngase gjithmonë më pëlqën të mbështesë më shumë të dobëtit për t`i sfiduar të fortit . Hapi i parë të cilin duhet ta ndërmarr partia e cila humb zgjedhjet është ky; paraprakisht duhet t`ia bëj një pyetje vetes se pse ka humbur. Duhet ulur të gjitha strukturat dhe të ekzaminohet saktësisht gjendja. Fillimisht duhet pranuar humbjen ashtu siq edhe ka ndodhur. Qytetarët asnjëherë nuk e ndëshkojnë ndonjë parti politike pa qëllim dhe arsye prandaj duhet hulumtuar saktë arsyen e ndëshkimit , ngase nuk shërohet sëmundja pa e gjetur origjinën, nga ka ardhur. Duhet kuptuar se qytetarët nuk janë fajtorë pse nuk të duan, por fajtori është ai i cili ua ka larguar dashurinë qytetarëve ndaj tij, të cilën e kishin më herët.

Hapi i dytë është freskimi ( reformimi ) i strukturave, marrja e përgjegjësisë për humbje dhe ofrimi i njerëzve, aktivistëve, ideatorëve dhe organizatorëve të dëshmuar . Duhet ruajtur të gjithë aktivistët dhe njerëzit e merituar, ndërsa atyre të cilët marrin ndëshkimin qytetar duhet treguar deren e daljes nga partia. Pastrimi i partisë nga njerëzit me tiketa korruptive dhe kriminale duhet të bëhet mënjëherë, ngase nuk ka rrugë tjetër. Pastaj duhet te forcohen strukturat, me plane konkrete, shembuj pozitiv dhe jo me shantazhe e kërcënime, duke ua përmendur të gjithëve kinse ndihmën e dhënë kur kanë qenë në pushtet. Duhet kuptuar njëherë e mirë që partitë politike janë organizata vullnetare, të dëshirueshme dhe asesi të obligueshme.Nuk mund ta obligosh aktivistin e as ta urdhërosh. Me sjellje injorante kur je në opozitë elektoratin shumë më lehtë e humbë sesa që e rritë, prandaj duhet pasur kujdesë.
Hapi i tretë është hartimi i platformës politike për të ardhur në pushtet, që nënkupton një plan të mirë veprimi duke detajuar çdo veprim, në çdo familje, lagje, fshat qytet etj. Duhet ndarë mendjen se si duhet vepruar përmes një plani afatgjat 4-vjeqar dhe asesi nuk duhet menduar për të ardhur në pushtet përmes rrugëve tjera. Nëse ke humbur pushtetin nga vota qytetare ashtu edhe duhet fituar, prandaj duhet ndarë mendjen që për 4 vite opozitë ta kryen punën mirë si duhet, në mënyrë që zgjedhjet e ardhëshme të jenë vetëm një formalitet i kthimit të timonit të qytetit në duart e partisë suaj. Këtu duhet shumë punë që nga i pari i partisë e deri të i fundit. Opozita kërkon gjithsesi formimin e qeverisë në ardhje e cila duhet t`i ketë të gjitha departamentet e një qeverisje komunale dhe secili department duhet ta monitorojë punën e drejtorisë gjegjëse.

Hapi i fundit është komunikimi i mirë me mediat dhe kjo punë duhet të realizohet nga njerëzit të cilët e njohin këtë fushë dhe kanë karizmën për të qenë tërheqës për qytetarët. Secili shef i departamenteve të qeverisjes në ardhje duhet të organizoj konferenca të shpeshta për media, por duke ditur se si dhe kur duhet goditur. Ç`do konferencë duhet të jetë e shoqëruar me argumente bindëse që demaskojnë punën e keqë të pozitës ( pushtetit), duke ofruar poashtu alternativa se si duhet vepruar për veprimet të cilat e kundërshtonë pushtetin.

Dhe krejtë në fund për ta përmbyllur këtë proces duhet pasur sinqeritet që veprimet e mira të pushtetit të mbështeten dhe çdo veprim apo nismë e cila realizohet për të mirën e qytetarëve duhet përkrahur. Kjo është rruga e duhur, çdo veprim apo process tjetër, mund të të ndëshkojë edhe më tutje dhe koha e qëndrimit në opozitë mund të zgjatet edhe më shumë. Prandaj, pozicionohuni se çka doni, sepse pa vizion nuk arrihet asgjë!.Burim Gjaka/Vizioni.info/

Vizioni.info Author