Izraeli shkatërron dyqanet palestineze në Kudsin Lindor

Komuna izraelite e Kudsit urdhëroi prishjen e 20 dyqaneve në kamp me pretekstin se ato janë ndërtuar pa leje

Autoritetet izraelite shkatërruan dhjetëra objekte palestineze në kampin e refugjatëve Shuafat të Kudsit Lindor të pushtuar, raporton Anadolu Agency (AA).

Sipas gazetarit të AA-së në këtë zonë, komuna izraelite e Kudsit urdhëroi prishjen e 20 dyqaneve në kamp me pretekstin se ato janë ndërtuar pa leje.

Të martën, autoritetet izraelite njoftuan se kishin informuar pronarët e dyqaneve se pronat e tyre do të shkatërroheshin.

Departamenti për çështjet e refugjatëve i Organizatës për Çlirimin e Palestinës (PLO) ka dënuar rrënimet, duke e akuzuar komunën Kudsit për “zhvillim lufte” kundër kampit dhe banorëve të tij.

Kreu i departamentit Ahmad Abu Holi akuzoi komunën se po përpiqet të ndryshojë karakterin e kampit me qëllim për t’i dhënë fund pranisë së Agjencisë për Refugjatët Palestinezë të OKB-së (UNRWA) dhe shërbimeve që ofron.

“Komuna po përpiqet të futë kampin Shuafat nën juridiksionin e qytetit, ku do të jetë subjekt i ligjeve komunale dhe nuk do të jetë nën mbikëqyrjen e UNRWA-së”, tha ai.

Në kampin e refugjatëve Shuafat jetojnë rreth 21.000 palestinezë.

Muajin e kaluar, komuna njoftoi planet për të dëbuar UNRWA-në nga Kudsi Lindor i pushtuar.

Komuna akuzoi agjencinë e refugjatëve se vepron në mënyrë të paligjshme dhe promovon “nxitje” kundër Izraelit.

E themeluar në vitin 1949, UNRWA u ofron ndihmë kritike refugjatëve palestinezë në Rripin e bllokuar të Gazës, Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli, Jordani, Liban dhe Siri.