Prokuroria kërkon edhe 30 ditë shtesë për plotësimin e aktakuzës “Veterani”

E premtja është dita e fundit kur Prokuroria Speciale duhet ta dërgojë në gjykatë aktakuzën e plotësuar për rastin e njohur në publik si “Veterani”.

Por, sipas njoftimeve, organi i akuzës nuk ka arritur që brenda 30 ditësh të afatit të paraparë ligjor ta plotësojë e precizojë aktakuzën, pas vërejtjeve të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, në bisedën për “Kohën Ditore” ka thënë se janë të pamjaftueshme 30 ditë për ta plotësuar këtë aktakuzë.

“Nuk e di nëse Gjykata Themelore ka kthyer ose jo ende përgjigje, por ne i kemi bërë kërkesë që të na e shtyjnë afatin për plotësim të aktakuzës edhe për 30 ditë shtesë”, ka thënë ai.

Sipas Lumezit, kërkesa është bërë pasi që duhet punë shumë e madhe që të sqarohet aktakuza, ashtu siç ka kërkuar gjykata.

“Aktakuza nuk mund të kthehet dy herë në plotësim, andaj për këtë arsye, në mënyrë që të sqarohen të gjitha rrethanat, na nevojitet kohë shtesë”, ka thënë ai.

Para një jave ky institucion ishte i sigurt se plotësimi i aktakuzës ishte çështje ditësh.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *