Rrëfimi i binjakeve nga Patosi, sot shkencëtare në Angli: U fshehëm me babin poshtë maunes

Historia e Argitës dhe Detinës, binjakeve nga Patosi, ngjan si një film. Kur ishin vetëm 13 vjeç, ato nisen në një udhëtim të vështirë për në Angli, ku ndjeheshin si kriminele të pafajshme. Ishte viti 1999 dhe prindërit e Detinës e Argitës, ishin të vendosur për tu larguar nga Shqipëria. Anglia ishte mundësia më e mirë dhe si shumë familje të tjera, kontaktuan me grupe, të cilat dërgonin ilegalisht njerëz jashtë shtetit. Shumicën e shumës familja Zalli u detyrua që t’a merrte borxh.

Edhe pse iu premtua rrugëtimi me avion, ata përfunduan si thasë sipër një mauneje. Pas një udhëtimi të lodhshëm, prej 8 ditësh e tetë netësh arritën në Angli. Por, përsëri vitet e para nuk ishin aspak të lehta për ata. Edhe dy motrat u detyruan të punonin, në fillim si kameriere, ku detyroheshin të vishnin këpucë me taka, që pronari i hotelit të besonte se ishin 15 vjeçe. Sot, 31 vjeçaret kanë arritur shumë lart, por asgjë nuk ka ndryshuar, ato vazhdojnë të jenë të thjeshta dhe humane.

Me një vullnet për tu admiruar, motrat Zalli kanë arritur majat e shkencës për mjekësi molekulare. Janë krenare që janë shqiptare, e këtë gjë duan ta tregojnë kudo që shkojnë. Por, jo nga ato atdhedashëse vetëm për flamurin, vajzat nga Patosi, ndihmojnë studentë shqiptarë si të vazhdojnë studimet në Angli, duke bërë kurse. Pasi sado larg të jenë, ato gjithmonë do të japin për Shqipërinë, pa pritur gjë në këmbim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *