NËSE SHIHEMI EDHE NJË HERË

Le të themi,
Se ne arritëm ta harrojmë njëri-tjetrin
Dhe le të themi
Se dikush tjetër
Në një të ardhme
Do të na njoftonte,
A s’do të ishte turp për ne?

Pastaj pa më shikuar në sy
Papritmas do më njihje.
A do të skuqeshin faqet?
Apo do e mbaje
Të njëjtin qëndrim,
Duke u munduar ta fshehje
Turpin nga faqet e skuqura?!

A do më pyesje
“Si je?”
Pa të interesuar si jam,
A do të përgjigjesha
“Mirë jam”
Pa qenë fare mirë.

Nga dallgët e kujtimeve
Dhe rrahjet e shpeshtuara të zemrës
A do të dridhej zëri
Duke ta bërë të pamundur
Të shqiptosh emrin tim siç duhet?

Thonë se
Zemra e sheh zemrën matanë malit
E syri se sheh syrin matanë hundës.
Se di…
Nëse takohemi edhe një herë,
Unë do të thosha për ne
Se shembëm malet për zemrat tona
Dhe u treguam aq të pafytyrë
Sa s’mund të shohim më njëri-tjetrin në sy./Liridon Miftari/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *