Dhurata Hoxha: Zgjerimi i BE-së i domosdoshëm, të njihet progresi i shteteve të Ballkanit Perëndimor

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, po merr pjesë në Konferencën ndërkombëtare në Maribor të Sllovenisë, “Parlamenti i Adriatikut”, ku marrin pjesë personalitete nga të gjitha vendet e Ballkanit.

Kështu thuhet në njoftimin për media të Ministrisë së Integrimit Evropian (MIE).

Ajo më tutje theksoi se është koha e fundit që BE të zgjerohet me vendet e Ballkanit perëndimor, sepse nga kjo përfiton edhe vetë BE-ja.

“Strategjia e Zgjerimit, e cila u publikua muaj më parë, dha një mesazh të qartë për perspektivën evropiane të kësaj pjese të Evropës, e cila është më se e mirëpritur në të gjitha vendet, duke na inkurajuar në të njëjtën kohë të ndërmarrë reformat e nevojshme drejt integrimit. Ajo që është e rëndësishme për vendet e Ballkanit është të kemi një gjuhë më të qartë dhe më specifike mbi perspektivën evropiane. BE-ja e gjithashtu duhet të mbajë fjalën dhe të kryej pjesën e vet të obligimeve”, theksoi Hoxha.

Ajo më tej vuri në dukje se ndër vlerat fondamentale të BE-së sipas saj, është edhe fqinjësia e mirë dhe perspektiva e përbashkët zhvillimore, ekonomike, arsimore, tregtare, transportit, konkurrueshmërisë, ambientit dhe sferat tjera por edhe përball trendëve negativ global, siç janë papunësia, varfëria, epidemitë, ngrohja globale apo terrorizmi.

Ndryshe, mikpritës i Parlamentit të Adriatikut është presidenti slloven Borut Pahor dhe konferenca do të nxjerr përfundimet e saj me rekomandime për BE-në, për çështjen e zgjerimit të BE-së drejt Ballkanit perëndimor. /Telegrafi/