Mbi 30 maune të “Shell- Al petrol” ndalën në doganë , shkak kualiteti i dobët

Mbi 30 maune të mbushura me derivate të naftës janë bllokuar në terminalin doganor të Kosovës.
Këto maune sipas burimeve të lajmi.net brenda doganës se janë të kompanisë ‘Shell – Al Petrol’.

Lajmi.net merr vesh poashtu, se kjo ndalesë është bërë pasi analizat laboratorike kanë treguar se kualiteti i derivateve nuk e ka përmbushur nivelin minimal të kërkuar sipas ligjit dhe Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë.

Sipas dokumenti të siguruar nga lajmi.net, pika e filtribilitetit për periudhën kohore, 1 tetorit deri më 1 nëntori, mbi vlerën e kërkuar për derivate ishte -10, ndërsa kompania në fjalë me produktet e saja kapte vlerën -4, vlerë kjo nën standardet e kërkuara.

Sido qoftë, lajmi.net në vazhdimësi ka provuar të kontaktojë me përfaqësuesit e doganës dhe me zyrtarin për informim, Adriatik Stavileci, për të marr një qëndrim zyrtar për rastin në fjalë mirëpo kontakti me ta ka qenë i pamundur.

Gjithashtu, lajmi.net ka provuar të marrë një qëndrim edhe nga zyrtarët e kompanisë ‘Shell -Al Petrol’, të cilët nuk kanë shprehur gatishmëri të flasin, duke thënë se “s’ka kush flet se sot është pushim”.

“Jo nuk jam në ngjarje”, është shprehur një nga përfaqësuesit e kompanisë, Argjend Gashi.

Lajmi.net ka kërkuar që pas një kohe t’i sigurohet një përgjigje për çështjen në fjalë mirëpo Gashi ka insistuar “po më vjen keq është ora 8 e gjysmë (20:30), jemi në pushim të gjithë kështu që nuk jemi në ngjarje, nuk di çka me fol”