“Vetëvendosje” deklarohet rreth rezolutës së koalicionit për dialogun me Serbinë

Nënkryetarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, ka dhënë kritika për rezolutën e dialogut me Serbinë të cilën të shtunën partitë e koalicionit e miratuan me gjithsej 6 pika.
Sipas Mulhaxha-Kollçakut, kësaj rezolute i nevojitet një qasje tjetër, pastaj të krijohet një listë e gjërave dhe kërkesave të Kosovës ndaj Serbisë, shkruan lajmi.net

Ajo këto komente i bëri në një postim në profilin e saj zyrtar në rrjetin social “Facebook”.

Mulhaxha-Kollçaku po ashtu ka shkruar se funksioni i kësaj rezolute do të ishte vetëm legjitimimi i aventurës personale të Thaçit.

Përmes këtij postimi, nënkryetarja e “Vetëvendosjes”, ka thënë se, aventura e presidentit është dhunim i republikës dhe se në këtë mënyrë sipas saj, Kosova ka nevojë urgjente për zgjedhje të reja për qeveri të re e president të ri. /Lajmi.net/

Postimi i plotë i Mulhaxha-Kollçakut pa ndërhyrje:

Në portale u publikua një propozim rezolutë e koalicionit qeverisës lidhur me negociatat me Serbinë e cila mban datën e 6 tetorit 2018.

Para së gjithash, ne jemi të bindur që nevojitet qasje krejt tjetër. Fillimisht duhet bërë trajtimi në Kuvendin e Kosovës i Raportit 38 faqësh të qeverisë së Kosovës mbi arritjet dhe sfidat në zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit gjatë dialogut 2011-2017. Së dyti, duhet bërë lista e kërkesave të shtetit të Kosovës ndaj shtetit të Serbisë e cila na ka aq shumë borxh. Së treti, duhet hartuar platforma me parimet dhe qëllimet e negociatave. Vetëm mandej, pra, së katërti, të formohet ekipi negociator me udhëheqës dhe strategji përkatëse.

Qysh në fjalinë e parë të hyrjes si dhe në pikën e parë të saj, kjo propozim rezolutë, flet për Serbinë pa i përmendur krimet e saj në Kosovë si dhe përmend ‘të kaluarën tragjike’ thua se ajo ishte aksident natyror.

Në pikën 4, vlerësohet se nga marrëveshja me Serbinë do të anëtarësohemi në OKB, NATO dhe BE. Pra, jipen premtime në emër të Rusisë e Kinës në njërën anë dhe të Spanjës, Sllovakisë, Rumanisë, Greqisë e Qipros në anën tjetër.

Në pikën 5, përveçse kanë subordinuar opozitën, është caktuar zëvendës-kryeministri Fatmir Limaj si udhëheqës i ekipit negociator (i cili, në fakt, quhet delegacion). Kjo është e kotë, edhe për shkak se Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq nuk do ta takojë zëvendës-kryeministrin e Kosovës si partner. Z. Fatmir Limaj në rastin më të mirë po e zëvendëson znj. Edita Tahiri kurse realisht po ia zë vendin z. Avni Arifit.

Funksioni i kësaj rezolute do të ishte vetëm legjitimimi i aventurës personale të Thaçit e cila askund nuk dënohet me këtë propozim rezolutë, si dhe evitimi i zgjedhjeve të reja duke përfshirë opozitën përfundi.

Mbi të gjitha, nuk duhet të shihet vetëm teksti pa kontekstin aktual politik, pa përvojën e hidhur me dialogun dhe pa dinamikën kohore në vijim. Kjo propozim rezolutë e ka rolin e saj deri në takimin e radhës së Thaçit me Vuçiqin i cili më së largu pritet të ngjajë në Paris më 11 nëntor 2018. Pastaj do të vijnë propozim rezoluta të tjera në kuadër të ‘kompromisit të dhimshëm’ që u paralajmërua. Thaçi do të ec përpara vetëm nëse ka rezoluta Kuvendi për t’i shkelur!

Qeveria e pakicës është dhunim i demokracisë. Aventura e presidentit është dhunim i republikës. Kosova ka nevojë urgjente për zgjedhje të reja për qeveri të re e president të ri.