Veteranët e Dukagjinit përgatiten për veprimet e radhës

OVL të UÇK-së, degët e Dukagjinit, në mbledhjen e mbajtur sot, me 6 tetor 2018, rikonfirmuan angazhimin e tyre në menaxhimin e situatës së krijuar pas ofendimit publik të veteranëve të luftës me publikimin skandaloz e të paligjshëm të listave me të dhëna personale, bazuar në aktakuzën në rastin “Veteranët”.

Ata kanë përshëndetur edhe njëherë veprimin e Prokurorisë, e cila realizoi kërkesën e parë të protestës së Luftëtarëve “FALEMINDERIT KOSOVË” të mbajtur me 26 shtator 2018.

Udhëheqësit e shoqatave kanë njoftuar që do të ndërmarrin 2 veprime në ditët në vijim:

– Një letër do i shkojë Kryeprokurorit Lumezi, të hënën me 8 tetor 2018, ku do të kërkohet se deri ku kanë arritur hetimet për zbardhjen e fajtorit që publikoi ilegalisht listat në media.

– Zyrat e OVL UÇK në Dukagjin, do të jenë të hapura për të gjithë luftëtarët pa dallim zone e brigade, ku do të përkrahën në përpilimin e padisë për fyerje të dinjitetit dhe publikimin ilegal të të dhënave personale. Paditë do të fillojnë që nga e enjtja 11 tetor 2018 dhe të interesuarit mund të paraqiten në zyrat në Deçan, Pejë, Gjakovë, Istog dhe Junik.

Pasi që Prokuroria ka bërë lëvizjen e vet sipas kërkesës sonë, nevoja për protestë tjetër dhe data e saj, do të varen nga komunikimi jonë me Prokurorinë e Shtetit dhe gadishmëria e tyre për të reflektuar, ndaj kërkesave të tjera.

Kërkojmë nga veteranët të kenë durim, pasi që në fund ne do të jemi fitues në këtë tendencë për njollosjen e Luftës Çlirimtare, e fajtorët do të marrin dënimin që ju takon, thuhet në komunikatën për media nga OVL- UÇK-së për Zonën e Dukagjinit.