Nxënësit nga Lugina i kërkojnë Haradinajnt libra shqip

Kryeministri Ramush Haradinaj të shtunën ka pritur në takim rreth 100 nxënës të shkollave të mesme nga Presheva, Medvegja dhe Bujanoci.

Sipas tij, shqiptarët janë popull i vuajtur, por nuk janë hakmarrës, madje janë të gatshëm të falin dhe të pajtohen, raporton KTV.

E nxënësit shqiptarë nga Lugina kanë kërkuar nga Haradinaj që t’iu sigurojë tekste shkollore në gjuhën shqipe.

Derisa studiojnë në Kosovë, ata kanë thënë se nuk mund të punësohen në Serbi me diploma kosovare për shkak të mosnostrifikimit të diplomave.

E Haradinaj tha se tekstet shkollore nuk duhet të shkojnë në mënyrë ilegale në Luginë, por të krijohet një bazë për dërgimin e teksteve, pasi që kjo është në interes të botës së civilizuar.

Haradinaj ka premtuar punë për realizimin e kërkesave të nxënësve, derisa ka kërkuar nga ta të mos e humbin besimin në Qeverinë e Kosovës.

Haradinaj ka thënë se është praktikë e mirë t’i takojë nxënësit e Luginës së Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, si dhe kërkoi që herëve të tjera të ftohen edhe nxënësit serbë që të vizitojnë Kosovën, për të kuptuar se shqiptarët janë njerëz që duan të bashkëpunojnë në çdo aspekt.