Kompania e as familja s’flasin për vdekjen e punëtorit në Arbëri

Edhe një punëtor i ndërtimtarisë ka vdekur në vendin e tij të punës, të shtunën.

Milazim Bajraktari ka vdekur pasi që ka rënë nga kati i 7 i ndërtesës në të cilën ishte duke punuar për fasadim, në lagjen “Arbëria” në Prishtinë, raporton KTV.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë menjëherë policia dhe mjekësia urgjente, të cilët kanë thënë se në momentin kur kanë mbërritur, Bajraktari ka qenë i vdekur.

Më pas, në punishte kanë dalë edhe ekipet e Mjekësisë Ligjore.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe familjarë të viktimës, të cilët nuk kanë dashur të flasin për rastin.

Viktima, 45 vjeç, ka qenë punëtor i kompanisë “Genta’s HPL Panel”.

Të kontaktuar nga KTV-ja, në kompani kanë thënë se nuk mund të flasin pasi që iu ka ndodhur një tragjedi.

Gjatë ditës edhe një tjetër punëtor nga fshati Denjë i Komunës së Rahovecit është lënduar në vendin e tij të punës.

Ndryshe, rreth 15 raste të vdekjeve në vend të punës janë shënuar vetëm gjatë vitit 2017. Ndërkaq, gjatë 2018-ës, deri në tetor kanë vdekur 18 persona po ashtu, në vendin e punës.