Zbulohen më shumë se 60 000 struktura maja përmes teknologjisë lazer

Që prej 2009 fondacioni i trashëgimisë kulturore të majave ka promovuar kërkime nëpër pyjet e dendura tropikale në veri të Guatemalës, vend i banuar nga majat në periudhën klasike të vonë. Vështirësia e hyrjes, shtrirja e terrenit dhe pyjet kanë bërë që kërkimi i drejtpërdrejtë nuk ishte rezultativ, kështu që filloi të hynte në punë sistemi lazer Lidar (light detection and raging).

Bëhet fjalë për një teknologji që mat distancën nga një pikë emetuese e lazerit dhe një objekti ose sipërfaqeje duke lejuar krijimin e hartave 3D me përpikmëri. Aplikimi i kësaj teknologjie shërbeu për të zbuluar një megapolis në shkurt të 2018 dhe që ende po bën zbulime. Sipas revistës “Science” territori që është zbuluar ka një sipërfaqe prej më shumë se 2000 km katrorë të njohura si tokat e ulëta maja në një rajon të Petenit në Guatemala. Lazeri identifikoi më shumë se 61 480 struktura maja të fshehura mes të cilave vendbanime, fortesa, rrugë, fusha kultivimi me sisteme vaditjeje. Këto zbulime u kryen nga një grup arkeologësh ndërkombëtarë nën udhëheqjen e Marcello Canuto-s nga universiteti Tulane në Amerikë që pohon se ky rajon është banuar nga 7 -11 milionë banorë gjatë periudhës klasike të vonë (680-800 pas krishtit) me një densitet mesatar prej 100 personash për km katror. Faktor tjetër befasues është se kjo sipërfaqe ka qenë e kultivuar: 362 km katrorë terren agrar i modifikuar dhe 952 të pamodifkuar, por me qëllim që mund të përdorej.

Struktura të ndryshme lidhen me më shumë se 106 km rrugë dhe fortesa mbrojtëse duke i krahasuar në këtë mënyrë me grekërit e lashtë. Shumë shkencëtarë kanë filluar të krahasojnë qytetërmin maja me atë grek duke u nisur nga zhvillimi që kanë patur. 95% të terreneve të këtyre vendbanimeve ishin të destinuara për kultivim dhe historianët e arkeologët besojnë se kriza e fundit e kulturës maja u provokua nga thatësira në shek IX. Pavarsisht se teknikat e reja të Lidarit lehtësojnë shumë punën e arkeologëve dhe sjellin njohje të reja, ekspertët theksojnë se rëndësia e punës në terren është e nevojshme për një studim më të thelluar dhe për të mbrojtur këto pjesë unike nga kërcënimet e zhvatësve dhe nga shpyllëzimi.