Ndalohet për 48 orë pasi dyshohet se përdhunoi nusen e djalit

Prokuroria Themelore në Gjilan, ka nxjerrë aktvendim mbi ndalim në kohëzgjatje prej 48 orësh për një rast dhunimi i cili ka ndodhë në komunën e Vitisë.

Sipas kësaj prokurorie, ekziston dyshimi i bazuar se në fund të muajit shtator të këtij viti, i dyshuari me inicialet XH.I., e ka ngacmuar dhe shfrytëzuar seksualisht të dëmtuarën 18 vjeçare – bashkëshorten e djalit të tij, në atë mënyrë që me forcë dhe pa pëlqimin e saj, e ka detyruar kryejë marrëdhënie seksuale në shtëpinë e tyre.

“Dyshohet që, i njëjti këto veprime i ka ndërmarrë duke shfrytëzuar mungesën e anëtarëve tjerë të familjes, duke përfshirë edhe mungesën e bashkëshortit të të dëmtuarës”.

Lidhur me këtë çështje, Prokuroria ndaj të dyshuarit në Gjykatën Themelore në Gjilan, do të ushtrojë kërkesën për caktimin e paraburgimit, si dhe do të ndërmerren të gjitha veprimet e tjera hetimore për ndriçimin e këtij rasti.