Krejt çka duhet të dini për ligjet e reja për Ushtrinë

FSK do të mbrojë integritetin territorial, do të ketë autorizime edhe të përdorë forcën
Me ndryshime kushtetuese nuk u bë, por tani po bëhet me ligj, raporton T7.

Kështu, përmes këtij dokumenti me 30 nene Forca e Sigurisë së Kosovës do të ketë mandat ushtarak.

Ndërkohë, në nenin katër është përcaktuar edhe kompetenca dhe detyrat e FSK-së.

“Forca e Sigurisë së Kosovës mbron integritetin territorial, qytetarët, pronën dhe interesat e Republikës së Kosovës. Forca e Sigurisë së Kosovës është forcë ushtarake multietnike, profesionale, e armatosur dhe e autorizuar për të shërbyer në vend dhe jashtë vendit, në pajtim me mandatin e dhënë kushtetues dhe ligjor”.

Po në këtë projektligj janë përcaktuar edhe parimet e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Kështu, FSK do të jetë forcë multietnike, vullnetare, profesionale e që do ti nënshtrohet kontrollit civil demokratik.

Po ky dokument parasheh që FSK, është forcë e paanshme dhe nuk mund të përdoret për veprimtari politike.

Bile, pjesëtaret e ushtrisë së Kosovës, nuk mund të jenë anëtar të partive politike.

Në këtë dokument është përcaktuar edhe pajisja me armatim e FSK-së.

“FSK do të jetë e pajisur me armë dhe sisteme të armatimit, në përputhje me nevojat e FSK-së, për përmbushjen e kompetencave dhe detyrave të saj”.

E me këtë draft të ligjit, FSK edhe do të mund të përdor armatimin që e posedon.

“Forca e Sigurisë së Kosovës është e autorizuar ta përdorë forcën, armët e zjarrit, mjetet dhe pajisjet që i ka në përdorim me qëllim të përmbushjes të kompetencave dhe detyrave te dhëna kushtetuese dhe ligjore”.

Ndërsa sipas këtij dokumenti, FSK do të veprojë në tërë territorin e Kosovës. Ndërsa sipas ligjit do të ketë jo më shumë se 5 mijë pjesëtar aktiv edhe 3 mijë rezervë.

Po ashtu është paraparë edhe hierarkia ushtarake, ndërsa komandant suprem do të jetë Presidenti.