Vizatimi më i vjetër nga njeriu zbulohet në shpellën e Afrikës së Jugut

Nëntë vija të kuqe në një copë guri të gjetur në një shpellë në Afrikën e Jugut mund të jenë vizatimi më i hershëm i njohur deri më tani, i realizuar nga homosapienët. Kësisoj kanë raportuar arkeologët të mërkurën. Artefakti, për të cilin shkencëtarët mendojnë të jetë i vjetër rreth 73 mijë vjet, është para datës së mëparshme të njohur për vizatime abstrakte të realizuar nga njerëzit nga Evropa, para rreth 30 mijë vjetësh, transmeton “Koha Ditore” shkrimin e NYT.

“Kemi ditur shumë gjëra që mund të bënin homosapienët, por nuk e kemi ditur se mund të vizatonin asokohe”, ka thënë Chrishtopher Henshilwood, arkeolog i Universitetit të Bergenit në Norvegji, i cili është autor udhëheqës i studimit. Gjetja e publikuar në “Nature”, mund të sigurojë një lloj vështrimi në origjinën e përdorimit të simboleve nga njerëzit, që hodhi themelet e gjuhës, matematikës dhe civilizimit.

Vizatimi antik është zbuluar në shpellën Blombos, e cila është rreth 321 kilometra në lindje të Cape Town. Depozitat arkeologjike të këtij lokaliteti datojnë prej 70 mijë deri në 100 mijë vjet më parë, gjatë periudhës së mesme të gurit. Brenda shpellës, shkencëtarët kishin zbuluar dhëmbë homosapienësh, vegla, kocka, gdhendje e rruaza të bëra nga guaskat.

Luca Pollarolo, hulumtuese në Universitetin e Witwaterstrand në Johannesburg, ishte duke pastruar disa gurë të këtij lokaliteti kur kishte hasur në një brisk të vogël, mbi të cilin dukej se ishte vizatuar diçka. Shënjimet përmbanin gjashtë vija të drejta, gati se paralele, që ishin kryqëzuar diagonalisht nga tri vija paksa të lakuara.

“Mendoj që kam parë më shumë se dhjetë mijë artefakte në jetën time deri më tani dhe asnjëherë s’kam parë vija të kuqe në një brisk”, ka thënë Pollarolo. “Nuk mund ta besoja se çfarë kisha në duar”.

Ai e kishte kontaktuar Henshilwoodin dhe Karen van Niekerk, po ashtu arkeologë nga Universiteti i Bergenit, dhe ishin pajtuar që ia vlente të hulumtonin tutje.

Ata e kishin marrë artefaktin me vete në Francë, për t’u ekzaminuar nga Francesco d’Errico, një arkeolog i Universitetit të Bordeauxit. Atje, ekipi duhej të përcaktohej nëse vijat e kuqe ishin vizatuar në gur dhe nëse jo, prej çka ishin bërë ato. Duke përdorur mikroskop, laser dhe një mikroskop skanues të elektroneve, ata u përcaktuan se kishte shënjime në majë të gurit dhe që ato ishin bërë nga okeri i kuq, një lloj pigmenti natyral që shpeshherë përdorej për të bërë piktura parahistorike në shpella. Në fakt, njerëzit antikë në Shpellën Blombos, ishin duke bërë piktura okeri qysh para 100 mijë vjetësh.

“Ata pastaj është dashur të përcaktojnë sesi bëheshin këto vija. A ishin pikturuar apo vizatuar”, ka thënë van Niekerk. Pas hulumtimeve u përcaktuan se bëhej fjalë për vizatim, jo për pikturë.

Henshilwood dhe ekipi i tij, po ashtu, kanë treguar që vijat e kuqe ishin vizatuar në një sipërfaqe të lëmuar. Kjo tregonte që brisku dikur ishte pjesë e një guri më të madh, që njerëzit parahistorikë mund ta kishin përdorur për të copëtuar okerin. Ata nuk kanë mundur të thonë saktësisht se cili ishte qëllimi i vizatimeve dhe as nëse kishin ndonjë kuptim më të thellë. Por kanë disa hamendësime.

“Jam i bindur që janë më tepër sesa shënjime të zakonshme”, ka thënë Henshilewood. “Mendoj që definitivisht është simbol dhe ka një mesazh këtu”, ka shtuar ai.

Ekipi i arkeologëve, po ashtu, beson që vizatimet mund të jenë bërë nga një anëtar i species sonë dhe jo nga ndonjë tjetër, sepse ata kanë gjetur vetëm mbetje të homosapienëve në shpellë. Shembujt e mëparshëm të abstraktit dhe teknikave të figurave vizatuese para kësaj gjetjeje kishin dalë në shpellën “Chauvet” në Francë, “El Castillo” në Spanjë, “Apollo 11” në Namibi dhe lokalitetin Maros në Indonezi, që datojnë rreth 42 mijë vjet më parë.

“Deri më tani, nuk e kemi ditur që vizatimi ishte pjesë e repertorit të homosapienëve antikë”, ka thënë van Niekerk.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *