Sholtes: Vendimi për viza, me rëndësi jo vetëm për udhëtim

Vendimi i sotëm i Parlamentit Evropian në favor të liberalizimit të vizave për Kosopvën është mirëpritur edhe nga Igor Sholtes, eurodeputet që njëherësh është edhe raportues i PE-së për Kosovën.

“Me vendimin e sotëm shumë qartë u tregua se ka një vullnet të fuqishëm politik në Parlamentin Evropian për të përkrahur Kosovën në rrugën e saj drejt regjimit pa viza. Kjo po ashtu dërgon mesazh edhe se Parlamenti Evropian është një avokat i fuqishëm për trajtim të barabartë të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimorë”, tha Sholtes në një deklarim për “Kohën Ditore”.

Ai tutje theksoi se Kosova nuk duhet të mbetet i vetmi vend në rajon që nuk gëzon regjimin pa viza me vendet e zonës së Schengenit.

“Kjo është me rëndësi jo vetëm për udhëtime, por edhe për një bashkëpunim më të fortë ekonomik, kulturor, shkencor dhe në fusha tjera. Jam i bindur se kjo po ashtu do të nxisë edhe bashkëpunimin rajonal, që ka rëndësi kruciale”, tha ai.

Ai ka thënë se shpreson që procedurat e mbetura për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës, e që janë në nivel të BE-së, do të kryhen shpejtë.

“Vota kruciale do të jetë ajo e Këshillit, natyrisht. Sinqerisht shpresoj që shtetet anëtare do të ndjekin shembullin e Parlamentit Evropian dhe do t’i japin dritën e gjelbër regjimit pa viza sa më shpejtë që është e mundur”, tha Sholtes për “Kohën Ditore”. “Kjo nuk duhet të vonohet tani kur është konfirmuar se kushtet e parashtruara janë përmbushur”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *