Promovohen librat për Nënën Terezë dhe Skënderbeun në pullat postare

Në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës sot u promovuan librat “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu në pullat shqiptare 1913-2017” dhe “Nënë Tereza në pullat shqiptare”, të filatelistit Hysen Dizdari.

Autori Dizdari tregoi për përmbajtjen e librave duke thënë se libri për Nënën Terezë i kushtohet historisë postare të saj.

Dizdari tha se kur përmendet emri i saj dhe i Skënderbeut, shqiptarët duhet të ngritën në këmbë.

“Pra, ky libër është shtyp, është botu për nder të Nënë Terezës, me rastin e dy vjetorit të shenjtërimit të Shën Nënë Terezës, 90 vjetorit të fillimit të misionit të saj në Indi dhe për gjithë misionin e saj që ka ushtru në kombin shqiptar”, tha Dizdari.

Dizdari tregoi se libri për koleksionimin e pullave postare të Gjergj Kastriotit i mori dhjetë vjet kohë derisa tregoi para të pranishmëve historinë se si u shtypën pullat postare të Gjergj Kastriotit, duke i shpjeguar edhe prapavijat historike. Ai tha se figura e Skënderbeut vazhdon të nderojë shqiptarët në gjithë botën.

“Unë për këtë libër kam punuar dhjetë vjet. Vetëm për të grumbulluar koleksionin e Skënderbeut nga 1913 deri në 2017, sot është një ndërmarrje goxha e vështirë, domethënë, t’ia nisi edhe një herë nga fillimi, unë jam koleksionist, pasionin për koleksionimin e pullave e kam qysh në fëmijëri”, tha Dizdari.

Don Lush Gjergji, recensent i librit “Nëna Terezë në pullat shqiptare”, njëherësh biograf i Nënës Terezë, tha se jeta dhe vepra e saj e paraqet historinë tonë të shekullit XIX dhe XX.

Lush Gjergji e quajti atë Nënë Universale.

“Libri që na sjellë miku dhe vëllau me pullat postare kushtuar Shën Nënës Terezë, ju e dini se pullat postare ngjiten në një zarf dhe atëherë përcillet letra, posta i vulos. Unë kisha dashur që figura, jeta dhe vepra e saj të vuloset në mendjen dhe në zemrat tona dhe ne të jemi postierët e lajmit të mirë, se Shën Nëna jonë Tereza, ishte dhe mbetet bijë ilire, arbërore dhe shqiptare”, tha Gjergji.

Kurse për librin për pullat postare me figurën e Skënderbeut, foli redaktorja e këtij libri, Flutura Xhabija, e cila tha se libri i shkruar për historinë e pullave postare të Skënderbeut është i barabartë me dhjetë enciklopedi.

Xhabija po ashtu sugjeroi që figurat si Skënderbeu e Nëna Terezë, duhet të përdoren edhe për turizëm, duke i printuar në suvenirë të ndryshme. /

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *