Matoshi mbështet projektin 50 mijë euro për Komunën e Hanit të Elezit

Ushtruesi i detyrës së ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, së bashku me kryetarin e Komunës së Hanit të Elezit, Rufki Suma, sot kanë nënshkruar një Marrëveshje Mirëkuptimi për projektin “Pastrimi i Lumit Lepenc nga mbeturinat e Azbestit ” i cili ka vlerën prej 50 mijë euro dhe që financohet nga MMPH.

Gjatë ceremonisë së nënshkrimit, u.d i ministrit, Matoshi, tha se MMPH-ja do të vazhdoj të përkrahë Komunën e Hanit të Elezit në fushat që lidhen me mjedisin dhe planifikimin hapësinor, njofton Vizioni.info.

“ Sapo nënshkruam një marrëveshje bashkëpunimi për financimin e projektit që ka të bëjë me largimin e azbestit në lumi Lepenc dhe rreth tij. Hani i Elezit është ndër komunat më të varfra në Kosovës për të cilën ne si Ministri e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor nuk do të kursehemi ta mbështesim në zhvillimin e saj, jo vetëm në këtë projekt, por në të gjitha fushat që lidhen me mjedisin dhe planifikimin hapësinor”, deklaroi Matoshi.

U.d i ministrit të MMPH-së, Matoshi, dhe kryetari Suma gjatë takimit kanë diskutuar edhe për aksionin e pastrimit në nivel të vendit që do të fillojë më 15 shator në Republikën e Kosovës, dhe do të përfshijë edhe Komunën e Hanit të Elezit.

“ Hani i Elezit është komunë kufitare, është një nga pikat kufitare më të frekuentuara të Republikës së Kosovës me Republikën e Maqedonisë dhe një vëmendje të veçantë do ta kemi gjatë aksionit për pastrim edhe në këtë komunë andaj presim bashkëpunimin me ta”, tha Matoshi.

Ndërsa kryetari i Komunës së Hanit të Elezit, Rufki Suma falënderoi u.d e ministrit, Matoshin për mbështetje në financim të projektit për largimin e azbestit nga lumi Lepenc duke e vlerësuar si një projekt të rëndësishëm për komunën.

“Falënderoj u.d e ministrit për nënshkrimin e kësaj marrëveshje. Me këtë projekt kemi të bëjmë me pastrimin e mbetjeve të azbestit në brigjet e lumit Lepenc. Në komunën tonë kemi azbest përgjatë brigjeve të lumit Lepenc dhe tek fusha e futbollit. Tani përmes këtij nënshkrimi ne do të shpallim tenderin për të larguar azbestin në këto pika”, tha Suma.

Projekti “Pastrimi i Lumit Lepenc nga mbeturinat e Azbestit”, do të rregullojë një nga problemet më të mëdha dhe më të rrezikshme që ka Komuna e Hanit të Elezit, atë të largimit të azbestit. /Vizioni.info/