Agim Ademi: Ejani në përurimin e stadiumit “Fadil Vokrri”

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi ka ftuar qytetarët që të jenë të pranishëm në numër sa më të madh në përurimin e stadiumit “Fadil Vokrri”.

Ndeshja përuruese do të jetë finalja e Superkupës në mes Prishtinës dhe Dritës nga Gjilani, e cila zhvillohet të hënën nga ora 20:00.

Kryetari Ademi ka falënderuar të gjitha ekipet e përfshira në renovimin e stadiumit ‘Fadil Vokrri’, duke filluar nga ekipi i ministrisë dhe veçmas ministri Kujtim Gashi, pastaj punëkryerësin ‘Al Trade’, si dhe ekipin e FFK-së që vazhdimisht kanë qenë në nivel të detyrës, si dhe UEFA-n e cila ka qenë krah i fortë i FFK-së në realizimin e këtij projekti.

Ademi e ka falënderuar kryetarin e komunës, Shpend Ahmeti për propozimin që ka dhënë që ky stadium ta bartë emrin e ish-presidentit të FFK-së dhe legjendës Fadil Vokrri, si dhe Asamblenë Komunale që e ka votuar unanimisht propozimin e tij.