Policia teston sigurinë në zyrën e kryeministrit, tregon a futi eksploziv

Policia e Kosovës ka thënë se ka testuar sigurinë në zyrën e kryeministrit Ramush Haradinaj, mirëpo nuk ka dhënë detaje nëse ka parë ndonjë lëshim të sigurisë.
Më herët, gjatë ditës, është raportuar se në zyrën e kryeministrit është futur një sasi eksplozivi për ta testuar sigurinë. Policia nuk ka pohuar dhe as nuk ka mohuar raportimet e tilla.

“Nuk bëhet fjalë për ndonjë tentim sulmi apo hyrje të ndonjë mjeti eksplodues në objektin në fjalë, por ju informojmë se Policia e Kosovës në vazhdën e inspektimeve periodike, me qëllim të avancimit të punës, profesionalizmit, si dhe vlerësimin e punës dhe gatishmërinë e zyrtarëve policorë që janë të angazhuar në ofrimin e sigurisë së objekteve policore dhe institucioneve shtetërore, si dhe testimin e nivelit të funksionalitetit të pajisjeve të sigurisë në dispozicion, ndërmerr edhe testime simuluese të situatave nga më të ndryshme”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Informim të Policisë së Kosovës, dërguar Radios Evropa e Lirë.

Policia thotë se nëse rezulton se ka dështuar sistemi i sigurisë në zyrën e kryeministrit Haradinaj, do të marrë masa disiplinore ndaj zyrtarëve policorë.

“Varësisht prej rezultateve dhe të gjeturave nga këto inspektime (testime) dhe pas analizave të mirëfillta, PK-ja planifikon trajnime adekuate për stafin e angazhuar, inicion kërkesa për blerjen e pajisjeve më të avancuara dhe që do t’i përgjigjen kohës, apo në rast të ndonjë lëshimi eventual ndërmerr masa disiplinore ndaj zyrtarëve policorë”, thuhet në përgjigje.

Policia e Kosovës ka marrë veprime të tilla edhe në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, me qëllim të zbulimit të ndonjë hallke në sistemin e sigurisë që mund të përdoret nga kriminelët.