Përplasja Kanada-Arabia Saudite, futet në “lojë” dhe Rusia

Rusia ka kaluar në anën e Arabisë Saudite në konfliktin që ka kjo e fundit me Kanadanë, pas arrestimit të disa aktivisteve për të drejtat e grave në Riad, duke thënë se është e “papranueshme” që Otava t’i japë mësime Mbretërisë për të drejtat e njeriut, rapoton rel.

Sauditët kanë pezulluar tregti dhe investime të reja me Kanadanë, si dhe kanë dëbuar ambasadorin e këtij vendi, pasi autoritetet kanadeze kanë kërkuar lirimin e aktivisteve të arrestuara.

Zëdhënësja e ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova ka thënë më 8 gusht se duhet promovuar të drejtat e njeriut, mirëpo duke respektuar traditat specifike të secilit vend.

“Ne besojmë se Arabia Saudite, e cila është nisur drejt një rruge të reformave të thella ekonomike dhe shoqërore, ka të drejtën e saj të plotë për të vendosur si të ecë tutje në këtë zonë të rëndësishme”, ka deklaruar ajo.

“Ne e kemi thënë gjithmonë se politizimi i çështjeve të të drejtave të njeriut është i papranueshëm”, ka deklaruar Zakharova.

Arabia Saudite ka njoftuar për sanksionim të Kanadasë, pezullim të të gjitha fluturimeve drejt dhe nga Toronto, duke urdhëruar edhe kthimin në shtëpi të mbi 15,000 studentëve sauditë që ndjekin studimet në Kanada.

Kryeministri kanadez, Justin Trudeau ka thënë më 8 gusht se Otava nuk do të kthehet mbrapa nga kritikat, pavarësisht kërkesave të Riadit për të bërë një gjë të tillë.

Kanadaja do të vazhdojë të flasë “fuqishëm, ashpër, qartë dhe me respekt për nevojën e respektimit të të drejtave të njeriut në shtëpi dhe në gjithë botën”, u ka thënë ai gazetarëve në Montreal