Tuesday, August 21Informohu

Kryetari Tahiri dhe drejtoresha e USAID-it Magno nënshkruajnë marrëveshjen për Qendër të karrierës në Gjimnazin “Eqrem Çabej”

Gjimnazi i qytetit të Vushtrrisë “Eqrem Çabej” shumë shpejtë do të bëhet me Qendër për karrierë dhe ndërmarrësi, e cila do të mbështet me investime të USAID-it.

Drejtoresha e Misionit të USAID-it në Kosovë, Lisa Magno, së bashku me drejtoreshën e Programit ASSET (After School Support for Teens), Valmira Haxhaj Gushlla, sot kanë nënshkruar një marrëveshje me kryetarin e Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri dhe drejtorin e gjimnazit, Xhevat Lahu, për Projektin e themelimit të kësaj qendre për orientim në karrierë dhe në jetë të nxënësve vushtrrias.

E për krejt këtë investim, drejtoresha e USAID-it, Magno po ndjehet shumë e lumtur që po bëjnë një punë të mirë për të rinjtë. “Jam shumë e gëzuar që kemi mundësi të krijojmë këtë qendër e cila do të ndihmoj të rinjtë e qytetit të Vushtrrisë për orientim të tyre në karrierë dhe në jetë, ka deklaruar ajo në ceremoninë e mbajtur sot në administratën komunale”, tha ajo.

Nga ana tjetër kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri ka falënderuar popullin dhe qeverinë amerikane për gjithë mbështetjen e madhe që po japin në shumë fusha për njerëzit, qytetin dhe administratën në Vushtrri, si në bujqësi, transparencë por edhe në fushën e arsimit. “Besojmë se hapja e kësaj qendre në Gjimnazin e qytetit do të rris edhe më shumë rezultat e kësaj vatre të arsimit e cila ka traditë dhe rezultate kulmore në shkallë vendi”, ka thënë Tahiri.

Palë të kësaj marrëveshje janë Komuna e Vushtrrisë, Qendra për Arsim të Kosovës (KEC) e cila zbaton Programin After School Support for Teens -ASSET (Mbështetje Adoleshentëve pas Mësimit të Rregullt) të USAID-it dhe gjimnazi “Eqrem Çabej”.

Përmes kësaj marrëveshje, Programi ASSET i USAID-it do të zbatojë aktivitetet si:

Themelimin e “Qendrës për karrierë dhe ndërmarrësi” në gjimnazin “Eqrem Çabej”, e cila do të shfrytëzohet për aktivitete në lidhje me edukimin për karrierë dhe ndërmarrësi dhe zhvillimin e rezultateve të të nxënit për jetë dhe punë sipas Kurrikulës së Kosovës. Qendra do të ketë hapësira të pajisura me teknologji për arsim, mjete dhe materiale që do t’u mundësojë nxënësve të marrin pjesë në projekte praktike me qëllim të zhvillimit të shkathtësive dhe kompetencave relevante tek nxënësit. Qendra do të jetë në dispozicion të mësimdhënësve dhe nxënësve gjatë orarit mësimor dhe po ashtu do të jetë në dispozicion për aktivitete jashtë-kurrikulare pas mësimit te rregullt, siç është e paraparë në Kurrikulën e Kosovës.

Trajnimin dhe mentorimin e ekipit të shkollës në zbatimin e edukimit për karrierë, mësimin për ndërmarrësi dhe atë të bazuar në projekte siç është paraparë në Kurrikulën e Kosovës.

Trajnimin dhe mentorimin e ekipit të shkollës në vlerësimin e rezultateve të të nxënit të kurrikulës për jetën dhe punën.

Themelimin e lidhjeve në mes të shkollës dhe punëdhënësve që do të rrisë shkathtësitë e nxënësve për punësim.

Ofrimin e trajnimeve, materialeve dhe udhëzuesve për mësimdhënësit dhe nxënësit e përzgjedhur për themelimin e Klubit Teknik të nxënësve i cili do të ndihmojë në mirëmbajtjen dhe sigurinë e sistemeve kompjuterike dhe teknologjisë për arsim në shkollë.

Programi ASSET menaxhohet nga Qendra për Arsim e Kosovës-KEC në partneritet me Fhi360 dhe Crimson Capital Corp.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *