Këto janë premtimet që Gjuriq, u dha dje serbëve në Kosovë

Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, dhe sekretari gjeneral i presidentit të Serbisë Nikola Selakoviq të mërkurën kanë qëndruar në pjesën veriore të Kosovës, ku ka takuar krerët e Listës Serbe.

Në këtë takim serbëve të Kosovës u është premtuar se “çfarëdo që të ndodhë në të ardhmen ata do t’i kenë të gjitha”, shkruan Gazeta “Zëri”, transmeton Gazeta NewBorn.

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq në fund të takimit u është drejtuar të gjithë atyre që ishin të pranishëm me anë të telefonit, të cilin Gjuriq e lëshoi që ta dëgjonin të gjithë.

Vuçiq ka premtuar projekte të mëdha infrastrukturore për serbët në Kosovë, duke thënë se zgjidhja me Kosovën është larg dhe se ai do të vazhdojë të luftojë. Kreu i shtetit serb po ashtu i ka njoftuar serbët për ardhjen e tij në Kosovë.

“Këtë vit dhe vitin e ardhshëm ne do të bëjmë projekte të mëdha të infrastrukturës në Kosovë, në jug dhe në veri të Ibrit, do të rregullojmë ujësjellësin, kanalizimet dhe do të investojmë para më shumë se kurrë, sepse duam të tregojmë se jemi me njerëzit tanë dhe se do të jemi me njerëzit tanë gjithmonë. Kopshti në Shtërpcë dhe jo vetëm ai kopsht, tani duhet të tregoni se për çka ka nevojë më shumë Shtërpca, për sistemin e ujësjellësit në Zubin Potok dhe të gjitha të tjerat që duhet të punojmë për Leposaviçin, Zveçanin, Mitrovicën, Ranillugun, Parteshin e Graçanicën”, është shprehur Vuçiq përmes telefonit.

Kurse Marko Gjuriq ka thënë se Vuçiq “merret ditë e natë me Kosovën” dhe se ka marrë vendim që në veri të Kosovës dhe në çdo mjedis ku ka serb në jug të Ibrit deri në fund të këtij viti do të përfundojnë të gjitha projektet e filluara. “Ajo që dua nga Mitrovica është t’i tregoj çdo serbi në Kosovë se çfarëdo që do të ndodhë në të ardhmen, do të keni më shumë, nuk do t’ju gënjejë askush, nuk do të keni më pak para, do të keni më shumë mbështetje nga Serbia”, tha Gjuriq.

“Këto ditë ne nuk duhet të bimë pre e provokimeve dhe të mos biem pre e mekanizmave të ndryshëm e të personaliteteve të ndryshme. Sot duhet të jemi të fortë”, tha Popoviq.

Ndërsa sekretari i përgjithshëm i Serbisë Nikola Selakoviq, ka thënë se si kurrë më parë serbët e Kosovës kanë një udhëheqës si Vuçiqi, të cilit duhet t’i besojnë.