Paralajmërimet për Veriun, Vuçiq mbledh Këshillin e Sigurisë së Serbisë

Presidenti Serb Aleksandër Vuçiq ka paralajmëruar mbledhjen e këshillit të sigurisë për të diskutuar zhvillimet e fundit në Kosovë, transmeton Gazeta NewBorn.

Sipas mediave serbe këshilli do mblidhet të shtunën në mëngjes në orën 8:00. Mbledhja e tyre vie disa orë pasi kryeministri Haradinaj mblodhi këshillin kombëtar të sigurisë për të diskutuar gjendjen e sigurisë në Kosovë.

Pas përfundimit të këtij takimi, Haradinaj ka deklaruar se temë e këtij takimi ishte gjendja e rendit, ligjit dhe sigurisë në vend dhe çështja e afateve kohore që ndërlidhen me asociacionin.

“Temë e ditës ishte gjendja e rendit dhe ligjit dhe sigurisë në vend dhe këtë referim i politikës së fundit që ka ndodh, pastaj reflektim i afateve kohore që lidhen me asociacionin. Kam kërkuar rritjen e gatishmërisë të institucioneve të rendnit dhe ligjit në mënyrë që të sigurojmë rend dhe ligj në siguri”, deklaroi kryeministri Haradinaj.

Sipas tij gjendja në rend dhe ligj është e qetë dhe stabile.

“Retorika për territore që ndodhë në Kosovë është kundër-reagim i një retorike që vjen nga Beogradi. Kjo retorikë nuk e ka qëllimin e prishjes së rendit dhe ligjit në Kosovë, shqiptarët e serbët nuk duhet të ndihen të pasigurt”, tha ai.

Kryeministri Haradinaj më tej ka deklaruar se nesër më 4 gusht është afati i fundit për dorëzimin e draftit për themelimin e asociacionit të komunave serbe.

“Me datën 4 gusht është afati kur dorëzohet transkripti i dorëzimit. Nesër grupi punues mund ta dorëzoj draft statusin, kjo parashihet të bëhet para palëve. Ne nuk kemi dalë jashtë obligimeve. Kosova si palë është serioze dhe është brenda obligimeve. Nëse dikush do të merrte veprime jashtë ligjeve të Kosovës dhe marrëveshje ndërkombëtare do ta merr përgjigjen e organeve të rendit dhe të ligjit. Kushdo që hyn në Kosovë për shkaktim të ndonjë incidenti normalisht që do të ketë veprim të organeve të ligjit”, ka deklaruar kryeministri.

Haradinaj ka theksuar se institucionet e vendit janë në gjendje gatishmërie për secilën situatë.

“Ne jemi në gjendje të gatishmërisë që nëse do të ketë diçka të veprojmë”, ka thënë kryeministri Ramush Haradinaj.