Huaja (borxhi) që të çon në Xhennet

Përpjekjet që njerëzit të inkurajohen për sa më shumë ibadete zakonisht janë fokusuar në disa veprime konkrete – dhe atë me të drejtë – si namazi, agjërimi, Kurani e të ngjashme.

Mirëpo, ekzistojnë edhe dyer të tjera që mbeten të pa hapura, dhe shumë herë, kjo ndodh për shkak të pavetëdijes tonë. Një mënyrë e tillë është edhe ofrimi i borxhit pa interes (kamatë).

Ebu Derda (r.a.) ka thënë: “Më shumë preferoj t’i jap dy dinarë borxh të cilët do të mi kthejnë, dhe pastaj përsëri t’i jap borxh, sesa që t’i jap si sadakë.”

Ju ndoshta mund të pyeteni: “Çka nëse borxhliu nuk mund t’i kthejë menjëherë paratë?”

Atëherë veprat e mira fillojnë të shumohen, sepse Pejgamberi (savs) ka thënë: “Kush ia shtynë borxhin borxhliut, i cili ka vështirësi në kthimin e borxhit, për çdo ditë të pritjes për kthimin e borxhit, i shkruhet sadakë në vlerën e atij borxhi.

Mirëpo, kur hyn afati për kthimin e borxhit, dhe ai edhe më tutje ia shtynë afatin, ai gjithashtu, për çdo ditë do të ketë sadakë të dyfishtë të vlerës së borxhit për çdo ditë që kalon.” (Mexhme’u ez-Zevaid, transmeton Burejde)

Tani imagjinoni këtë:

Nëse, për shembull, më 1 janar Halidi ia ka dhënë borxh Kerimit shumën prej 2.000 €, me kusht që data e kthimit të borxhit të jetë më 1 korrik, Halidi do të ketë 6 muaj shpërblim sikur çdo ditë të jepte nga 2.000 € sadakë, e cila është rreth 360 mijë euro.

Mirëpo, nëse Kerimi nuk është në gjendje që t’ia kthej borxhin Halidit në datën e caktuar, dhe ky ia shtynë afatin edhe për 6 muaj, atëherë në 6 muajt e ardhshëm Halidi do të ketë shpërblim sikur çdo ditë të jepte nga 4.000 € sadakë, që është edhe 720.000 € shtesë.

Personi mesatar ndoshta këtë shumë të parave do të jetë në gjendje ta fitojë gjatë tërë jetës së tij, e lëre më një shumë të tillë ta japë sadakë.

Pikërisht, për këtë arsye borxhet islame janë një mënyrë shumë e bukur e ibadetit.

“Allahu ia shton (shpërblimin) edhe më tepër atij që don! (el-Bekare, 261)