Fortesa Jusufi: Muzika klasike të sjellë shumë përmbushje shpirtërore dhe pozitivitet

Dëshira dhe pasioni ndaj një aktiviteti të caktuar shumë herë bëhet mandej edhe profesion jetësor duke iu dhënë të tërit dhe me shumë dashuri dhe përkushtim.

Kjo shpesh herë fillon që nga mosha e hershme fëmijërore dhe vazhdon gjatë gjithë jetës. Prandaj ne shumë raste pasioni fëmijëror dhe dëshira ndaj një pune të caktuar bëhet edhe profesion jetësor.

Një rast i tillë është edhe rasti i pianistes dhe muzicientes së talentuar, Fortesa Jusufi, e cila në një intervistë për Vizioni.info ka treguar për hapat e parë dhe rrugën që ka ndjekur dhe vazhdon ta ndjek si muziciente dhe pianiste.

F. Liszt – Ballade no. 2, b minor Fortesa Jusufi)

VIZIONI: Kur keni filluar të merreni me muzikë, si ka filluar përkushtimi i juaj ndaj muzikës?

JUSUFI: Mësimet e para të muzikes klasike dhe pianos i kam filluar në moshën 8 vjeçare. Në atë kohë, thjeshtë më pëlqente shumë të ushtroja në piano, dhe të mësoja për muzikën.

VIZIONI: Ku keni filluar së pari të mësoni për muzikë dhe konkretisht për piano, pasi që jeni edhe njëra ndër pianistet më të mira në vend?

VIZIONI: Ju faleminderit! Mësimet e para i kam marrë në shkollën fillore të muzikës në Prishtinë “Prenk Jakova”, në klasën e profesoreshës Valdete Preniqi. Pastaj kam vazhduar shkollën e mesme të muzikës në Prishtinë “Prenk Jakova”, në klasën e profesoreshës Lirika Pula.

Debussy – Prelude no. 12, Feux d’artifice(Fortesa Jusufi)

VIZIONI: Marrja juaj me muzikë, ka qenë dëshirë e juaja e më hershme, apo ka rrjedhur spontan gjatë rrugëtimit tënd?

JUSUFI: Mami është adhuruese e muzikës klasike, dhe ajo ishte e para që më shtyu drejt kësaj rruge. Kjo u bë edhe deshira ime, e cila u zhvillua dhe u rrit ndër vite. Unë vazhdova të ndjekja shkollën fillore të muzikës “Prenk Jakova”, paralelisht me shkollën fillore “Faik Konica” për 7 vite. Më pas, është dashur të vendos për drejtimin e shkollës së mesme. Dhe, aty ka qenë momenti që kam vendosur të merrem me muzikë klasike profesionalisht.

VIZIONI: Aktualisht ku vazhdoni të ndjekni këtë shkollim?

JUSUFI: Momentalisht jam studente e Fakultetit të Arteve në Universitetin e Prishtinës, drejtimi Piano Instrumental, në klasën e profesoreshës Lejla Pula. Kam përfunduar vitin e tretë të studimeve dhe kam edhe një vit të fundit, që të përfundoj programin katërvjeçar Bachelor.

Aleksandër Peçi – Dasma e Sakos

VIZIONI: Si një profesioniste e muzikës, konkretisht si pianiste, aktiviteti yt i kushtohet vetëm ekzekutimit të veprave muzikore, apo merreni edhe me kompozime?

JUSUFI: Me qenë se unë ende jam studente e pianos, aktiviteti dhe përkushtimi im është kryesisht në njohjen dhe ekzekutimin e veprave muzikore. Mirëpo, kompozimi më pëlqen shumë dhe kam kompozuar disa pjesë për piano. Këto kompozime më kanë ndihmuar që të shoh më mirë rëndësinë e kompozitorit dhe respektimit të udhëzimeve të veprës, e cila pikëpamje vazhdon të më ndihmojë gjatë përgatitjes së veprave të kompozitorëve të mëdhenj klasikë.

VIZIONI: Përveç angazhimit të madh dhe kohës që vazhdimisht i kushtoni muzikës, çfarë ndjenje ju jep përkushtimi i vazhdueshëm ndaj muzikës?

JUSUFI: Muzika klasike dhe piano për mua janë pasion, dhe jo vetëm përkushtim profesional. Ndjenja e papërshkrueshme e përformimit në skenë gjatë koncerteve dhe garave është motivi kryesor për të vazhduar edhe me më shumë perkushtim ndaj muzikës klasike. Gjithashtu, unë e shijoj shumë edhe pjesën e ushtrimit, analizimit dhe njohjes së veprave të reja për piano.

F. Chopin – Ballade op. 47 no. 3

VIZIONI: Sa është e lodhshme dhe e vështirë angazhimi rreth muzikës?

JUSUFI: Përgatitja e veprave muzikore në mënyrë profesionale është një punë e gjatë dhe e lodhshme. Përpunimi i një vepre duke filluar nga leximi dhe memorizimi, përgatitja teknike, analizimi i historikut të saj dhe kompozitorit e deri te kuptimi dhe formësimi i karakterit të veprës kërkon kohë dhe koncentrim. Përveç kësaj, nevojitet edhe mësimi i paraqitjes dhe kontrollimit të lojës tënde në skenë si pjesa përfundimtare e gjithë punës që e bën.

VIZIONI: Aktualisht, cili është angazhimi juaj konkret?

JUSUFI: Momentalisht jam duke e përzgjedhur programin e vitit të katërt, i cili do të jetë po ashtu programi im përmbyllës i studimeve Bachelor. Përveç kësaj, jam në përgatitje për pjesëmarrje në masterklaset e Akademisë Europiane Verore të Muzikës – ESMA, që do të mbahen në fund të gushtit në Gjakovë.

VIZIONI: Për fund, cili do të ishte mesazhi juaj për muzicientët e rinj, apo edhe ata që dëshirojnë të merren me muzikë?

JUSUFI: Unë besoj që edhe pse muzika klasike është shumë sfiduese dhe kërkon shumë kohë, punë, vëmendje dhe durim, ajo njëkohësisht është rrugëtimi më i bukur që të mëson t’i perballosh gjithë këto veshtirësi, si dhe, të sjellë shumë përmbushje shpirtërore dhe pozitivitet. /Vizioni.info/

Intervistoi: Esat Vatovci

F. Liszt – Ballade no. 2, b minor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *