Shefja e EULEX-it në Kosovë: Do të ndryshojë substanca e misionit, s’do të ketë rikonfigurim

Shefja e EULEX-it në Kosovë, Alexandra Papadopoulou, ka thënë se ndryshimet në mandatin e këtij misioni do të jenë të mëdha.
“Deri tani çdo ndryshim ka nënkuptuar ndryshim apo rikonfirgurimin e misionit. Këtë herë nuk ka të bëjë vetëm me numra e stafit, por po ndryshon edhe substanca e mandatit”, ka thënë Papadopoulou, njofton Klan Kosova.

“Ndryshimi i parë dhe më i rëndësishëm është që EULEX po tërhiqet nga funksionet ekzekutive në gjyqësor, që do të thotë se nuk do të ketë gjyqtarë, prokurorë dhe hetues të EULEX-it”.

“Arsye për këtë është se gjyqësori i Kosovës dhe hetuesit e Policisë së Kosovës kanë arritur në nivel të pjekurisë kur mund të marrin përgjegjësitë e tyre dhe mund të jenë të përgjegjshëm për këtë”.

Ajo ka thënë në një intervistë në Info Magazine se misioni i EULEX nuk ka qenë mision i hapur që sipas saj nuk ka qenë mandat i tyre që të qëndrojnë përgjithmonë në Kosovë.

“Sigurisht nuk ka qenë mandat i yni që t’i zëvendësojmë institucionet e Kosovës. Kemi qenë këtu vetëm për t’i ndihmuar Kosovës të ndërtojë një sistem të sundimit të ligjit, që është i qëndrueshëm, i përgjegjshëm, efikas dhe në përputhje me praktikat më të mira të BE-së”.