Kapiteni Lichsteiner arsyeton festën e Xhakës e Shaqirit, trajneri Petkoviq mban balancën

Kapiteni i Zvicrës, Stefan Lichsteiner, u jep të drejtë Xhakës dhe Shaqirit për mënyrën e festimit të golave duke bërë me duar shqiponjën dykrenare.

Në fakt, vetë Lichsteiner është fotografuar duke formuar simbolin e shqiptarëve.

“Xhaka dhe Shaqiri e bënë shumë mirë që festuan në atë mënyrë. Serbët shkruajnë dhe provokojnë prej disa ditësh, pastaj edhe ata nuk janë engjëj. Për mendimin tim, gjithçka është ‘ok’. Prindërit e disa lojtarëve të Zvicrën janë përfshirë në një luftë të ashpër. Ka provokime, kështu që për mua janë në rregull”, shtoi ndër tjerash ai.

Ndërsa trajneri Vladimir Petkoviq, mundohet ta shmangë përzierjen e politikës me sport, duke mbajtur një qëndrim shumë më të ekuilibruar.

“Është e qartë që një futbollist kur shënon ndien emocione të veçanta. Të gjithë ne duhet ta lëmë jashtë politikën nga futbolli. Duhet të përqendrohem në futboll, është një pasion që i bashkon njerëzit. Është e rëndësishme të tregojmë respekt”, përfundoi ai.