Sorra mësoi njeriun se si të varros të vdekurin.

Në një natë të errët dhe të zezë, Kabili vajti tek vëllai i tij
Habili i cili ishte duke fjetur dhe, e vrau. Ka shumë transmetime se si,
por s’ka argument të saktë. Ishte krimi i parë në historinë njerëzore.
Pasi e vrau, Kabili nuk dinte ç’të veprojë me kufomën. Ishte hera e
parë që dikush vdiste nga njerëzit dhe nuk dinin si të sillen me të
vdekurit. Mandej, Kabili e mbajti në krahë kufomën e të vëllait dhe e
transportoi në një vend tjetër. Atje, Allahu e dërgoi dy sorra para
Kabilit. Dy sorrat filluan të ziheshin me njëra-tjetrën, derisa njëra
mbeti e ngordhur në vend. Sorra triumfuese, filloi të hapë një gropë me
këmbët e saj. Pastaj e shtyu sorrën e ngordhur drejt gropës dhe e mbuloi
me dhe.Nga kjo ngjarje, mësoi Kabili se çfarë duhet të bëjë me kufomën e të
vëllait. Ai hapi një gropë menjëherë, e hodhi të vëllanë brenda dhe e
mbuloi me dhe.Këtë ndodhi Allahu azze ue xhel e ka regjistruar në Kuranin
famëlartë, ku thotë: “Lexoju (o Muhamed) saktësisht ngjarjen e dy bijve
të Ademit, kur ata bënë nga një kurban, njërit iu pranua, kurse tjetrit
jo. Njëri i tha tjetrit: “Ty gjithsesi do të të vras”. Tjetri tha:
“Allahu pranon vetëm prej të devotshmit. Nëse ti ngre dorë të më vrasësh
mua, unë nuk do ta ngre dorën që të të vras, sepse, në të vërtetë, unë i
frikësohem Allahut, Zotit të gjithësisë. Unë parapëlqej të marrësh
barrën e gjynahut tim dhe të gjynahut tënd e kështu të bëhesh ndër
banorët e zjarrit. Ky është ndëshkimi i keqbërësve”. Vetja e tij e nxiti
në vrasjen e të vëllait dhe e vrau. Kështu, ai u bë nga të humburit.
Allahu dërgoi një sorrë që rrëmihte në tokë, për t’i treguar sesi ta
mbulonte kufomën e të vëllait. (Kabili) tha: “Mjeri unë, a nuk qenkam i
zoti të bëhem si kjo sorrë e ta mbuloj trupin e tim vëllai?!” E u bë nga
të penduarit.” (Maide, 27-31