Shpërthen vetura Tesla në pronësi të regjisorit Morris

Një makinë Tesla me bateri, në pronësi të regjisorit televiziv britanik, Michael Morris, u përfshi nga flakët pasditen e të shtunës në Los Angeles.

Fatmirësisht në makinë ndodhej vetëm regjisori Morris, që u sinjalizua nga një çift kalimtarësh dhe doli menjëherë nga makina. Lajmi u bë i ditur nga bashkëshortja e regjisorit britanik, Mary McCormack, që postoi edhe një video të makinës, teksa kishte marrë flakë.

“Tesla, kjo i ndodhi bashkëshortit tim dhe makinës së tij sot. Nuk është aksident. Falënderojmë çiftin dashamirës që lajmëruan tim shoq të zbresë nga makina dhe gjithashtu falënderoj zotin që 3 vajzat e mia të vogla nuk ishin në makinë”, shkruante në Twitter, bashkëshortja e Michael Morris, përcjell Telegrafi.

Vetë Tesla pranoi ngjarjen dhe tha se do të studiohet me imtësi ky rast, pasi është tërësisht i pazakontë. Më herët inxhinierët e kësaj makine kishin thënë se merr flakë shumë më rrallë se makinat me karburant.