Shpresa Rama: Qytetit tim Vushtrrisë që sot shënon 19 vjetorin e çlirimit

Qytetit tim Vushtrrisë që sot shënon 19 vjetorin e çlirimit

Ti qyteti im që më fale shumë kujtime. Në ty e hedha hapin e parë si fëmijë, ma dëgjove edhe fjalën e parë, më pe përditë tek u rrita,…, ishe me mua edhe kur rrëzohesha në rrugët e tua dikur të përbaltura,…, të desha pa kushte Vushtrri, të desha ashtu siç ishe dhe t’i pranoj edhe ndryshimet që bën, sepse zemra ime të ka pranuar dhe dashuria për ty është më e madhe se gjithçka.

Shpesh u lodha nga ty, sigurisht e di, doja vetëm të ikja larg, atje ku s’do të shihja as edhe një element tëndin, por prapë kthehesha me mall drejt teje,…, e dilja të çmallesha me kalldërmin, me fasadat e tua të shëmtuara por që edhe ato t’i dua, me dritat neon që herë fikeshin herë ndizeshin, me gjithçka që ke e gjithçka që je,…, të dua Vushtrri.

Jam bija jote, që asnjëherë s’të lash, që kudo që shkova me krenari tregova që jam e jotja, e vazhdoj të jetoj edhe sot tek ty, vazhdoj të të dua në agun e mëngjesit e në perëndim, nën dritën e hënës e në rrezet e diellit… Urime dita jote Vushtrri,…, më e dashura ime ti…