Nuk dihet nëse Banka Botërore do përkrah projektin për termocentralin “Kosova e Re”

Banka Botërore mund të mos i japë Kosovës kredi për termocentralin e bazuar në thëngjill. Zyrtarë të Bankës Botërore nuk janë përgjigjur direkt për qëndrimin e tyre për termocentralin, energjia e të cilit do të jetë tërësisht e bazuar në thëngjill.

Por, në një përgjigje për KTV-në, kanë thënë se po bëjnë analizë për të parë nëse në vend ka potencial për energji të ripërtërishme.

“Ekspertët tanë të energjisë janë duke e analizuar një studim, përmes të cilit do të shqyrtohen një sërë mundësish. Ritmi i ndryshimit të teknologjisë në sektorin e energjisë po lëviz me shpejtësi, veçanërisht në burimet e energjisë së ripërtërishme, si asaj solare, përmes erës, ruajtjes, ku çmimet vazhdojnë të bien. Analiza jonë është duke marrë parasysh këto zhvillime dhe ne po e informojmë qeverinë”, ka thënë Carl Patrick Hanlon, zëdhënës në Bankën Botërore.

Por, përmes kësaj marrëveshjeje, qeveria parashihet të jetë garantuese e kredisë, duke dhënë ndihmë shtetërore.

Kjo është kundër Ligjit për Ndihmë Shtetërore, pasi ky vendim nuk është miratuar nga Komisioni për Ndihmë Shtetërore, sepse një komision i tillë ende nuk është i themeluar nga Kuvendi i Kosovës.

Në Ministrinë e Financave kanë thënë se kanë bërë kërkesë gjatë këtij viti për formimin e këtij komisioni dhe pritet propozimi i emrave nga ana e Kuvendit dhe miratimi i tyre nga deputetët.

Ditë më parë, Sekretariati i Komunitetit të Energjisë, institucion i BE’së, kërkoi nga Qeveria e Kosovës të prishë marrëveshjen me Countour Global.

E nëse qeveria e garanton këtë kredi, do ta rrisë borxhin e jashtëm.

Deri tani, borxhi i jashtëm është afër 1 miliard euro apo 16 për qind e GDP’së, kurse lejohet 40 për qind.

Me garantimin e 70 për qind të 1.3 miliard eurove, sa pritet të kushtojë investimi, atëherë do t’i afrohet kufirit të lejuar, duke pamundësuar ndihmë shtetërore në projekte të tjera.

Për këtë, patën reaguar edhe shoqëria civile, duke thënë se projekti i termocentralit të ri, do të rrezikojë ekonominë e vendit.